Ngjarjet e botës që shënuan vitin 2024, aty nuk munguan zhvillimet në ShBA e Lindje të Mesme

Viti 2024 në arenën ndërkombëtare u shënua me shumë zhvillime të rëndësishme. Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tensionet në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë e pasojat e ngrohjes klimatike që shkaktuan vërshime e tornado, do të mbesin si ngjarjet që do të shënojnë vitin që po lëmë pas. Për shumë kë, rikthimi…

Bota

04/01/2025 18:10

Viti 2024 në arenën ndërkombëtare u shënua me shumë zhvillime të rëndësishme. Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tensionet në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë e pasojat e ngrohjes klimatike që shkaktuan vërshime e tornado, do të mbesin si ngjarjet që do të shënojnë vitin që po lëmë pas.

Për shumë kë, rikthimi i Donald Trump, mbetet ngjarja e kryesore e vitit në botë, por që në vitin 2024 ndodhën disa zhvillime të tjera, që kishin filluar edhe më herët, si pushtimi rus i Ukrainës dhe lufta në Gaza, ngjarje këto që pritet të kenë ndikim edhe në vitin 2025.

Plagosja dhe fitorja e Donald Trump

Donald Trump ishte plagosur gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani më 14 korrik, në fushatën e tij për president të ShBA-së. Ai ishte qëlluar në veshin e tij të djathtë, teksa një pjesëmarrës në tubim ishte gjatë të shtënave, dy të tjerë u plagosën si dhe i dyshuari ishte qëlluar për vdekje. FBI-ja kishte thënë se është duke i hetuar të shtënat si vrasje në tentativë.

Trump ishte ngritur i përgjakur afër veshit, duke thënë zëshëm “lufto, lufto”, ndërsa lëvizte grushtin.

Të shtënat në Pensilvani nxitën një valë të teorive konspirative të pabaza në internet. Disa njerëz thanë se të shtënat u kryen nga një “shtet i thellë” në hije kundër Trumpit, ndërsa të tjerë sugjeruan se rasti mund të ishte inskenuar për të fituar simpati.

Pas këtij incidenti pati reaguar edhe vet presidenti aktual amerikan, Joe Biden, i cili kishte dënuar fuqishëm dhunën politike dhe i kishte bërë thirrje kombit që t’i refuzonte “ekstremizmin dhe tërbimin”.

Katër muaj më vonë, Trump doli fitues në garën për Shtëpinë e Bardhë. Në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, kandidati republikan e kishte fituar garën kundrejt demokrates, Kamala Harris, kandidimi i së cilës erdhi pas largimit nga gara të presidentit Joe Biden.

Trump erdhi në krye të shtetit më të fuqishëm të botës duke premtuar se do të përmirësonte koston e jetesës së amerikane si dhe duke premtuar se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.

Në moshën 78-vjeçare, Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Bidenit, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.

Kur të bëjë betimin më 20 janar, Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan që ka shërbyer si i 45-ti dhe i 47-ti president i Shteteve të Bashkuara.

Tensionet në Lindjen e Mesme

Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Prej atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Ndërkaq, Irani dhe Izraeli u përfshinë direkt në luftë në prill kur aeroplanët izraelitë sulmuan kompleksin e ambasadës iraniane në Damask, duke lënë të varë shtatë zyrtarë. Pas kësaj Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar drejt Izraelit dronë dhe raketa.

Rreziku për një luftë më të gjerë u rrit më 1 tetor, pas sulmeve masive të Iranit ndaj Izraelit, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit.

Ndërkaq, më 26 nëntor, shteti izraelit dhe presidenti amerikan, Joe Biden, kishin njoftuar për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut, armëpushim që një javë më vonë ishte shkelur pas një sulmi të forcave izraelite ndaj disa caqeve në Liban.

Me sulmet e përditshme dhe më humbjet e mijëra jetërave nga lufta një-vjeçare, gjasat për armëpushim real janë të pakta, së paku deri në rikthimin e Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në janar kur edhe pritet të inaugurohet si president i ri.

Rënia e Assadit

Pak javë më parë, rebelët sirianë arritën të përmbysnin regjimin e Bashar al-Asad, duke i dhënë fund një lufte 13-vjeçare.

Sundimtari afatgjatë i Sirisë iku në Moskë, ku presidenti Vladimir Putin i dha atij azil, duke shënuar një shenjë të qartë të zvogëlimit të ndikimit të Rusisë në rajon. Ofensiva u iniciua, ndër të tjera, nga grupi rebel Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

Assad është i njohur për një sundim brutal mbi Sirinë, e cila që nga viti 2011 është shkatërruar nga një luftë civile që shkatërroi vendin dhe e ktheu atë në një terren pjellor për grupin ekstremist ISIS, ndërsa shkaktoi një luftë ndërkombëtare me përfaqësues dhe krizë refugjatësh që solli miliona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Ai mori pushtetin në zgjedhje të pakundërshtueshme në vitin 2000 pas vdekjes së babait të tij Hafez al-Assad, i cili u ngrit nga varfëria për të udhëhequr Partinë Baath dhe mori pushtetin në vitin 1970, duke u bërë president i vendit vitin e ardhshëm.

Regjimi brutal i Assadit është rrëzuar pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500.000 njerëz dhe janë zhvendosur miliona tjerë.

Siria tani drejtohet efektivisht nga organizata Hayat Tahrir al-Sham (HTS) – e shpallur terroriste nga SHBA-ja – dhe aleatët e saj, disa nga të cilët janë të lidhur me Turqinë, rivalen e Iranit.

HTS-ja mori pushtetin në Damask më 8 dhjetor.

Lufta e Rusisë në Ukrainë

Vendimi i presidentit amerikan, Joe Biden, për t’ia lejuar Ukrainës përdorimin e armëve me rreze të gjatë për sulme brenda territorit rus ishte ajo se cfarë e shënoi këtë luftë gjatë këtij viti.

Këto raketa të fuqishme dhe precize mund ta godasin shënjestrën deri hiç më pak se 300 kilometra larg.

Si arsye për ndryshim të kursit të ShBA-së duket se ishte përforcimi që bëri Rusia me ardhjen e mijëra ushtarëve nga Koreja e Veriut për të luftuar krah Rusisë.

Ndaj këtij vendimi kishte reaguar presidenti rus, Vladimir Putin, duke thënë se ky është konfrontim direkt me Rusinë dhe se Ministria e Mbrojtjes po punon për disa skenarë kundërpërgjigjeje.

Kundër këtij vendimi ishte deklaruar edhe presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, duke thënë se kjo gjë vetëm sa e përshkallëzon luftën.

Ndërkaq, më 17 dhjetor, Rusisë iu vra një oficer i lartë i ngarkuar me Trupat e Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë. Igor Kirillev u vra në Moskë nga një bombë e fshehur në një skuter jashtë hyrjes së një ndërtese. Përgjegjësinë për këtë e mori Ukraina, teksa shpërthimi ishte rezultat i një operacioni special të shërbimit të sigurisë SBU ukrainase.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Moska ka përdorur armë me rreze të gjatë veprimi dhe avionë luftarakë për të sulmuar thellë brenda Ukrainës, duke goditur civilët dhe infrastrukturën si dhe caqet ushtarake.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën, teksa si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Fatkeqësitë natyrore

Edhe këtë vit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përballen uragane. Më fatali ishte uragani Helene, i cili la të vdekur mbi 230 persona, teksa miliona të tjerë mbetën pa energji elektrike.

Stuhia ishte karakterizuar me erëra të fuqishme dhe reshje shiu dhe pati goditur Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhian, Floridën, Tenesinë dhe Virxhinian.

Dëmet nga stuhia e fuqishme konsiderohen se mund të arrijnë nga 15 miliardë dollarë deri në mbi 100 miliardë dollar, teksa Helen u bë uragani më vdekjeprurës që ka goditur ShBA-në që nga uragani Katrina në vitin 2005.

Ende pa u rikuperuar nga Helen, ShBA u përball me uraganin tjetër vdekjeprurës Milton.

Stuhia e fuqishme që preku Floridan në tetor, mori jetën e 16 personave si dhe la miliona të tjerë pa energji elektrike, duke detyruar evakuuimin e banorëve.

Në Evropë, Spanja u përball me vërshime të mëdha gjatë muajit tetor, ku u mbetën më shumë se 200 persona të vdekur e shumë të tjerë të zhdukur.

Për shkak të fatkeqësisë natyrore, rreth 75.000 shtëpi patën mbetur pa energji elektrike.

Qyteti më i prekur ishte Valencia, në rajonin lindor, ku ekipet e shpëtimit kishin hapur një morg të improvizuar për të vendosur trupat e viktimave.

Numri i viktimave nga vërshimet në Spanjë është më i larti në Evropë që nga viti 1970, kur në Rumani kishin vdekur 209 persona.

Shkencëtarët kanë thënë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta, më intensive dhe të zgjasin më shumë.

Edhe në fund të vitit 2024 bota vazhdoi të përballet me ndryshime të ndryshme si politike, ekonomike e deri tek ato natyrore.

Natyrisht se nga viti në vit në gjithë botën më sfidueset mbeten luftërat dhe varfëria që shumë vende veçse janë të shkatërruara nga këto të dyja./Lajmi.net/