Ngërçi politik pengon edhe projektet kapitale dhe zbutjen e papunësisë

Vetëm në projektin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, që ka filluar në muajin korrik të këtij viti, janë punësuar afër 500 punëtorë dhe janë lidhur kontrata edhe me kompani të ndryshme vendore që merren me ndërtimin e rrugëve. Por, nën tjetër, kriza politike në vend tash e sa muaj pengon fillimin e zbatimit të projekteve kapitale, që do të ndikonin në ulje e papunësisë. 

Lajme

26/10/2014 11:48

Ela Ruqi, zëdhënëse në konsorciumin amerikano – turk Bechtel/Enka, kompani kjo që ka fituar tenderin për ndërtimin e autostradës të quajtur “Arbën Xhaferi”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në këtë projekt është shtuar numri i punëtorëve pasi punohet në dy ndërrime, 24 orë në ditë. 

“Në këtë moment flitet për një numër prej 400 deri në 500 punëtorë, por ky numër shtohet ose pakësohet varësisht nga punimet e sezonit. Por, ajo që është e rëndësishme për t’u thënë, është se Bechtel/Enka vazhdon të marrë punëtorë që kanë arritur të kenë aftësitë nga trajnimet që kanë marrë”, thekson Ruqi.  

Sipas saj, përveç punëtorëve, për realizimin e projektit konsorciumi fitues ka lidhur kontrata edhe me disa kompani kosovare që merren me ndërtimin e rrugëve.

“Ne kemi shumë kompani vendore që janë të angazhuara në këtë projekt, kemi një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë me kompanitë vendore. Mos të harrojmë që është një eksperiencë e arritur në katër vjetët e projektit të Rrugës 7 dhe Rrugës së Kombit. Një eksperiencë që bëri të mundur arritjen dhe përfundimin më sukses të atij projekti”, u shpreh ajo.

Edhe ekspertë konsiderojnë se projektet kapitale mund të ndikojnë në përmirësim të gjendjes socio-ekonomike për një periudhë të caktuar.

Profesori i Fakultetit të Bujqësisë në UP, Halim Gjergjizi thotë se në çdo vend zbatimi i projekteve kapitale ka ndikime pozitive me efekt zinxhir.

Si thotë ai, kjo gjë krijon vende të reja pune, fuqizon gjendjen ekonomike, rrit konsumin, por në Kosovë efektet janë të vogla për shkak të shkallës së lartë të papunësisë. 

“Por, në rastin  e Kosovës, ku papunësia është enorme, këto projekte, çfarë është edhe ky projekt, janë fare periferike dhe jo aq kontribuuese në rritjen e punësimit. Gjithsesi, është një hap i vogël por jo ai që duhet të jetë për të zgjidhur problemin e  papunësisë”, vlerëson Gjergjizi.

Në anën tjetër, shumë projekte kapitale gjatë këtij viti janë pezulluar për shkak të ngërçit politik në Kosovë.

Ministri në detyrë i Financave, Besim Beqaj ka premtuar edhe fillimin e realizimit të disa projekteve tjera kapitale në bashkëpunim më Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Dy projektet, sipas tij, tashmë janë aprovuar, ai i linjës hekurudhore nga kufiri i Maqedonisë deri në Fushë Kosovë, e pastaj të vazhdohet me linjën hekurudhore që shkon deri në kufi me Serbinë.

Projektet tjera kanë të bëjnë më ndërtimin e rrugëve dhe sosh energjetike.