Ngërçi politik, ish-delegati: Interesat e ngushta partiake po vendosen para atyre kombëtare
Interesat e ngushta partiake po vendosen para atyre kombëtare, thotë ish-delegati i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Shabani derisa komenton situatën me ngërçin politik në vend. Shabani thekson se prioritet duhet të jetë interesi i shtetit dhe jo i subjekteve politike. Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet edhe të martën, më 15 korrik, derisa u mbajt…

Lajme
Interesat e ngushta partiake po vendosen para atyre kombëtare, thotë ish-delegati i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Shabani derisa komenton situatën me ngërçin politik në vend.
Shabani thekson se prioritet duhet të jetë interesi i shtetit dhe jo i subjekteve politike.
Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet edhe të martën, më 15 korrik, derisa u mbajt vazhdimi i seancës për të 47-ën herë.
Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për çka Lëvizja Vetëvendosje – partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk po arrin të sigurojë votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun në këtë pozitë.
Kjo parti, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, po kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë por kjo, njësoj si emri i Haxhiut, po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.
“Në këtë situatë kur kemi një rrezikim të pozitës së Kosovës nga regjimi serb, kur kemi gjendje të rëndë ekonomike, kur kemi një situatë ende të pakonsoliduar në shtetin e Kosovës, konsideroj se është përgjegjësi e madhe për këtë garniturë të deputetëve që janë në Kuvendin e Kosovës. Është shumë më primare, shumë më e madhe interesi i Kosovës, sesa interesi i partive politike, ato është dashur të gjejnë një formë ose të bashkohen dhe varësisht prej votave që kanë pasur, të ndajnë ato pozita dhe ta drejtojnë Kosovën nga e mbara. Neve jemi duke humbur këtë autoritet që dikur e kishim për shkak të sakrificës, sepse po i vendosim interesat e ngushta mbi ato të përgjithshme kombëtare”, thotë ai.
Ish-politikani, Muharrem Shabani thotë se përgjegjësinë më të madhe për tejkalim të krizës politike e ka Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë e zgjedhjeve të 9 shkurtit, por sipas tij “hisedarë janë edhe partitë tjera”.
“Përgjegjësinë më të madhe e ka partia më e madhe, por përgjegjësi kanë edhe partitë e tjera sepse po shihet që gjithçka po do me fut në detyrë kryeministri i tanishëm në detyrë, në vend se të ulet dhe të bëjë një marrëveshje edhe me të tjerët, por edhe të tjerët që apriori refuzojnë çdo kontakt e bisedë…Nuk i lejohet një grupi të vogël aty 90-100 delegatëve të luajnë me fatin e këtij populli kur e kemi armikun tek dera edhe çdo moment mund të na shpërthejë”, thotë ai.
Kosova vazhdon të jetë pa institucione të reja edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses i cili ka urdhëruar që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditësh.
Afati që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese është 26 korriku. Por, gjykata më e lartë në vend, nuk ka paraparë pasoja nëse një gjë e tillë nuk realizohet./kp