​Ngërçi në Kuvend, kërkohet interpretim i ri nga Gjykata Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të iniciojë rast në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ngërçin e krijuar në Kuvend, thonë njohës politikë. Pas dështimit për herë të gjashtë të konstituimit të Kuvendit të premten, rrugëdalja e vetme po shihet interpretimi i ri nga Kushtetuesja në lidhje me pamundësinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit,…

Lajme

26/04/2025 12:43

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të iniciojë rast në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ngërçin e krijuar në Kuvend, thonë njohës politikë.

Pas dështimit për herë të gjashtë të konstituimit të Kuvendit të premten, rrugëdalja e vetme po shihet interpretimi i ri nga Kushtetuesja në lidhje me pamundësinë e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, rrjedhimisht, edhe konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, të drejtën ekskluzive për të nominuar kandidatin për kryetar të Kuvendit e ka partia e parë në zgjedhje, rrjedhimisht Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, në të njëjtin aktgjykim nuk është paraparë mundësia që i propozuari i partisë së parë të mos marrë 61 votat e nevojshme, si dhe nuk është përcaktuar se në çfarë afati kohor mund të konsumohet kjo e drejtë.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, në katër tentime ka dështuar të zgjedhë kryeparlamentaren, deputeten Albulena Haxhiu. Ajo, në seancat e 19, 23 dhe 25 prillit, mori vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për të marrë këtë post.

Kundër zgjedhjes së saj në organin më të lartë legjislativ janë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë.

Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe, në tri seancat e fundit nuk morën pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

Bazuar në këtë situatë, njohësi i Kushtetutës, profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress, se presidentja Vjosa Osmani duhet të iniciojë rastin në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk ka zgjidhje të situatës në Kuvend.

Sipas tij, ngërçi në Kuvend nuk mund të zgjatet më tej, përderisa nuk ka asnjë vullnet nga partitë politike që, përmes një marrëveshjeje politike, të zgjidhen trupat e Kuvendit dhe të konstituohet legjislatura e nëntë.

“Është detyrë e kësaj klase politike, veçanërisht partive fituese që kanë fituar mandate në Kuvend, që të gjejnë një zgjidhje dhe të mos shkohet pafundësisht në këtë mënyrë. Gjithmonë ka zgjidhje kur ka vullnet, mirëkuptim dhe vetëdije e përgjegjësi të lartë politike dhe shtetërore nga subjektet politike… Nëse kjo nuk ndodh, atëherë presidentja e vendit ka tagër kushtetues, në bazë të Kushtetutës, që të iniciojë në Gjykatën Kushtetuese parashtresa të caktuara, dhe ajo duhet ta bënte këtë nëse vazhdon kjo odiseadë në mënyrë të pakufizuar”, thekson ai.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, thotë se palë e autorizuar për të dërguar rast në Gjykatën Kushtetuese, janë edhe deputetët e sapo betuar të Kuvendit, mirëpo sipas tij, problemi qëndron se aktualisht s’ka një vendim nga ana e legjislativit.

Cakolli ka shtuar se Kushtetuesja ka paracaktuar se nuk i përgjigjet pyetjeve se si duhet vepruar, por merret vetëm me raste konkrete.

“Edhe pse Gjykata Kushtetuese iu njeh të drejtën dhjetë, respektivisht tridhjetë deputetëve, që të sfidojnë raste në Gjykatën Kushtetuese, problemi me situatën aktuale është mungesa e një vendimi. Tashmë, në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar se Gjykata nuk përgjigjet në pyetje sesi duhet vepruar, por gjykata merret vetëm me raste konkrete… Me dhënien e betimit, deputetët tashmë janë palë të autorizuara, por duhet të ketë dështim në vijimësi të ofrimit të propozimit, në mënyrë që rasti të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese”, deklaron Cakolli.