Nga vizita tek varri i babait e ribashkimi me familjen- Thaçi raportohet se nuk kthehet sot në Hagë
Pas shumë kërkesave që kishte dorëzuar në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë- ish-presidentit Hashim Thaçi iu lejua që më 13 mars të vie në Kosovë e ta vizitojë babain e tij i cili prej shumë muajsh ishte në gjendje të rënduar shëndetësore. Pas vizitës që i bëri në QKUK, Hashim Thaçi të dielën…

Lajme
Pas shumë kërkesave që kishte dorëzuar në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë- ish-presidentit Hashim Thaçi iu lejua që më 13 mars të vie në Kosovë e ta vizitojë babain e tij i cili prej shumë muajsh ishte në gjendje të rënduar shëndetësore.
Pas vizitës që i bëri në QKUK, Hashim Thaçi të dielën që lamë pas u njoftua se babai i tij ndërroi jetë.
E pavarësisht kërkesës së mbrojtjes që Thaçi të mund të jetë në Kosovë për të marrë pjesë në varrimin e babait, një gjë e tillë nuk u lejua.
Thaçit nuk iu mundësua pjesëmarrja në varrim, anipse mijëra qytetarë ishin aty.
Që nga e hëna në familjen Thaçi në Skenderaj po priten qytetarë të shumtë të cilët kanë shkuar për ngushëllime të ndarjes nga jeta të kryefamiljarit Haxhi Thaçit.
E sot tek varri i babait qëndroi për disa minuta edhe vetë ish-presidenti Thaçi.
Thaçi u solle nën masa të shtuara të sigurisë dhe për disa momente vendosi një kurorë lulesh, u përul para varrit të babait dhe i hodhi pak nga dheu i Kosovës.
Pas vizitës që pati tek varri i babait ku edhe i vendosi lulet me një mbishkrim prekës ku shkruante:
“Te varri yt erdha i fundit, babë. Para meje erdhën mijëra qytetarë. Së shpejti, dorë më dorë, do t’i falënderoj të gjithë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, Thaçi u nis drejtë shtëpisë së tij.
Aty ku u lind dhe u rrit, Thaçi po qëndron prej disa orësh me familjarët.
Nga Gjykata Speciale kanë konfirmuar ardhjen e Thaçit sot duke thënë se pas vizitës tek varri do të mund të qëndrojë edhe me familjarët.
“Mund të konfirmoj se për arsye bindëse humanitare, trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë në paraburgim në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, ka thënë zëdhënësi i Speciales, Michale Doyle.
Anipse jo e zyrtarizuar, Hashim Thaçi pritet që të qëndrojë në Kosovë sonte dhe nesër.
Sipas informacioneve jo-zyrtare, Thaçi do të qëndrojë nën sigurinë e EULEX-it si i paraburgosur i Hagës.
Kthimi i Thaçit për në Hagë parashihet të jetë nesër dhe jo sonte.
Ish-presidenti Thaçi është parë tejet i mërzitur për ndarjen nga jeta e babait të tij, i cili mbylli sytë dy ditë pasi e takoi atë./Lajmi.net/