Nga susta mekanike në atë dixhitale

Shkruan: Agron HOTI

Opinion

17/10/2020 11:09

Dija është një nga faktorët më të rëndësishëm për rritjet e shpejta të produktivitetit në ekonomitë moderne të bazuara në dije. Në ekonomitë moderne të bazuara në dije, shërbimet e informacionit, interneti dhe teknologjitë moderne të informacionit të bazuara në përpunimin e avancuar dhe super të shpejtë të informacionit janë duke u zhvilluar me ritme të papara, prandaj zgjerimi i dijeve përbën padyshim çështjen kryesore për vazhdimin e progresit teknologjik në shekullin 21 e me gjasë edhe më tej.

Përderisa shek. 20 shënonte Erën Industriale, shek. 21 përbën Erën e Dijes si forma më përparuar e kapitalizmit, në të cilën dija dhe idetë janë burimi kryesor i rritjes ekonomike, pra janë më të rëndësishme se toka, puna, paratë ose burime tjera materiale. Aq shumë dhe aq shpejtë janë duke u zhvilluar në shek. 21 modele të reja të punës dhe praktika të reja biznesi, saqë bota po përballet me vështirësi të panumërta për këtë mega-transformim të madh që është duke ndodhur për të siguruar punëtorë me aftësi të reja dhe të ndryshme ashtu sikurse po përballet me zhdukje masive të vendeve të punës, diçka e paparë kjo për shekullin që lamë pas.

Përderisa në shekullin 20 kërkohej prezencë fizike e punëtorit për shumë punë mekanike, në shek. 21 ajo nuk kërkohet më në shumë vende pune ku punohet me “inteligjencë të kolektivizuar”. Sot, për dallim nga dje, një punëtor i shkathtë i Google apo Amazon në një fshat sa më malor rrëzë Himalajeve apo Ande të Amerikës Latine mjafton të jetë i lidhur me internet dhe me vetëm një “click” të gjenerojë miliona dollarë fitime pa pasur nevojë të komunikojë me asnjë njeri, qeveri apo mekanizëm tjetër, diçka e paparë dhe e paimagjinueshme në shekullin që e lamë pas.

Duke e parë përparësitë dhe përftimet e mëdha që sjell sot teknlogjia informative e avansuar, shtetet e zhvilluara kanë filluar, si asnjëherë më parë, të rrisin dhe promovojnë investimet në Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK) duke synuar tregjet globale përmes produkteve të TIK-ut (p.sh. 5G). Duke parë garën mes SHBA-së dhe Kinës për dominim global në fushën e teknologjisë informative, edhe Evropa ka filluar të projektojë të ardhme dixhitale si sektorin ndër më fitimprurësit në glob në shek. 21 dhe ndoshta edhe më tej.

Siç dihet kriza financiare e vitit 2008 përpos që kishte goditur BE-në dhe tërë globin, ajo kishte nxjerrë në pah dhe dobësitë jo të pakta strukturore të zhvillimit ekonomik dhe social të saj. Si përgjigje ndaj krizës, Komisioni Evropian qysh në vitin 2010 projektonte të ardhme të qëndrueshme të BE-së duke thënë se “duhet të punojmë më shumë, më gjatë dhe më mençur”. E për të punuar më mençur, BE-së i duhej të investonte në Rend-ditën Dixhitale (Digital Agenda) për të krijuar një Treg Dixhital të Përbashkët Evropian me internet sa më të shpejtë dhe aplikacione interoperative. Tashmë, Rend-dita Dixhitale përbën njërën nga top prioritetet e BE-së të reflektuara këto dhe në Strategjinë e saj 2020, e cila parasheh se një zbatim i suksesëshëm i Rend-ditës Dixhitale do të nxiste inovacion, rritje ekonomike dhe përmirësim të jetës së qytetarëve dhe zhvillim të mëtejmë të bizneseve anembanë Evropës.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian të vitit 2010, sektori i Tekonologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) ishte drejtëpërdrejtë përgjegjës për 5% të GDP-së Evropiane, me një pjesëmarrje vjetore në treg prej 660 miliardë EUR, por që kontribuon shumë më tepër në produktivitetin e përgjithshëm të ekonomisë së BE-së, pra 20% e produktivitetit të përgjithshëm në BE vjen drejtëpërdrejtë nga sektori i TIK-ut dhe 30 % e produktivitetit të përgjithshëm sigurohet nga 30% e investimeve në sektorin e TIK-ut.

Duke e parë se në Evropë mbi 4% në vit rritet nevoja për punëtorë me shkathtësi dixhitale, Komisioni Evropian në vitin 2015 kishte nxjerrë Strategjinë e Përbashkët Dixhitale për Evropë, përmes së cilës parashihej që GDP e Evropës të rritej me mbi 400 miliardë EUR shtesë në vit, duke krijuar kështu qindra mijëra vende pune dhe një shoqëri që bazohet në dije, kjo sepse Teknologjia Informative dhe e Komunikimit (TIK) nuk përbën më një sektor të rëndomtë ekonomik, por bazamentin e të gjitha sistemeve moderne dhe inovative ekonomike.

Ndërkohë në qershor 2018 Komisioni Evropian pati miratuar propozimin për të nxjerrë një Regullore për themelimin e Programit për Mekanizmin e Lidhjes së Evropës (Connecting Europe Facility 2 programme = CEF2) për të mbështetur dhe përshpejtuar investimet në infrastrukturën e Konektivitetit Dixhital 2021-2027. Ky projeksion është në përputhje edhe me projeksionet buxhetore të BE-së të parapara për periudhën 2021-2027, përfshirë këtu fondet e IPA 3 (Instrumenti i Para-Anëtarësimit), nga ky i fundit përfiton Ballkani Perëndimor dhe Turqia.

Deri në fund të dhjetorit 2020 Komisioni Evropian pritet të nxjerrë Programin Shumëvjeçar të Konektivitetit Dixhital ku do të përfshiheshin rrjete të super të shpejta të internetit përfshirë 5G dhe shumë aspekte që lidhen me të për të mund kontribuar kështu në zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik në Evropë. Sipas “Reuters” 5G do të sigurojë shpejtësi të dhënash të paktën 20 herë më të shpejtë se 4G, do të mbështesë gjithashtu përparimet e mëdha të epokës tjetër, nga veturat që drejtojnë vetveten dhe realitetin e shtuar në qytete inteligjente dhe inteligjencën artificiale.

Pra, përfitimet e BE-së përmes CEF2 pritet të jenë të jashtëzakonshme, sepse para se gjitha do të ndodhë një transformim dixhital gjithëpërfshirës gjithëevropian përmes rrjeteve super të shpejta të internetit që do të jenë në dispozicion të të gjithë qytetarëve, bizneseve dhe drejtuesve socio-ekonomikë siç janë shkollat, universitetet, spitalet, transporti, administrata publike, etj, pavarësisht nga vendndodhja e tyre dhe statusi ekonomik.

Në vazhdën e projeksioneve të BE-së për zhvillimin dhe përafrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, drejtuesit politikë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së patën miratuar në Samitin e Triestës të vitit 2017 Planin e Veprimit Shumëvjeçar për Zonën Ekonomike Rajonale (ZER) për Ballkanin Perëndimor. Ky plan, ndër të tjera, parashihte integrimin dixhital të Ballkanit Perëndimor në rrjetin dixhital evropian. Ndërsa në Samitin e Sofjes të muajit maj 2018 Komisioni Evropian zyrtarisht kishte lansuar Rend-ditën Dixhitale (Digital Agenda) për Ballkanin Perëndimor për të mbështetur kalimin e rajonit në një ekonomi dixhitale që sjell përfitime nga transformimi dixhital me rritje më të shpejtë ekonomike, krijim të shumë vendeve të punës dhe ofrim të shërbimeve sa më të mira për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Vlen të theksohet se pas Samitit të Sofjes në maj 2018, BE menjëherë në tetor 2018 kishte vendosur që tashmë përmes mekanizmit të saj të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor (WBIF) t’i materializonte projeksionet e saj dixhitale duke e futur Ballkanin Perëndimor në Rend-ditën Dixhitale për të nxjerrë para se gjithash legjislacionin në përputhtje me acquis (legjislacionin e BE-së) dhe për t’u hapur rrugë investimeve në infrastrukturën dixhitale (Konektivitetit Dixhital) në përputhje me procesin e anëtarësimit në BE dhe Procesin e Berlinit.

Më konkretisht, BE për të arritur objektivat 2025 synon që përmes investimeve të saj të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor për të zvogëluar hendekun e madh të mbulimit me brez të gjerë interneti (broadband connectivity) ndërmjet zonave rurale dhe urbane, si dhe midis niveleve të të ardhurave si një ndër sfidat e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Projektet kryesore që do të përfshihen janë kryesisht në zonat rurale, lidhja dixhitale e arsimit, kujdesit shëndetësor, institucioneve komunale dhe qeveritare. Pak familje kanë qasje në shpejtësinë e lidhjes në Internet mbi 10 Mbit / s, dhe investime në shkallë të gjerë janë të nevojshme në të gjithë rajonin për të arritur dhe për të arritur objektivat e BE-së 2025.

Kosova, ashtu sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, është përfituese e plotë e Rend-ditës Dixhitale të BE-së. Në qershor 2019, BE përmes mekanizmit të saj të WBIF-së, ka vendosur në Berlin që të bëjë një kost benefit analizë dhe studim fizibiliteti për ndërlidhjen dixhitale të shkollave të mesme dhe fillore në Kosovë. Kurse në dhjetor 2019 në Londër BE, përmes WBIF-së, ka vendosur që të bëjë studim të para-fizibilitetit për avansimin e konektivitetit dixhital për zhvillim ekonomik të komunës së Prizrenit. Sipas të dhënave të WBIF-së e gjithë industria e TIK-ut në Kosovë (përfshirë sektorin e telekomunikacionit), përgjithësisht përbën një sektor të gjallë të ekonomisë më vete, duke siguruar një burim kryesor të punësimit, duke kontribuar një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (në 10 vitet e fundit 8% – 11% të PBB-së së Kosovës), dhe po shërben si katalizator për krijimin e një fuqie punëtore shumë të aftë për “ekonomi të dijes”. Projektet e WBIF-së (grante dhe asistencë teknike) miratohen dy herë në vit në Komitetin Drejtues të WBIF-së, ku marrin pjesë Komisioni Evropian, Institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke qenë se Kosova është në fazat fillestare të nivelit të zhvillimit të TIK-ut, atëherë investimet në këtë sektor do të duhej të ishin top prioritet jo vetëm në sektorin publik por edhe në atë privat, sepse kjo do të gjeneronte vende pune, ku shumë specialistë të TIK-ut do të mund të kryenin shërbime jo vetëm në Kosovë por në tërë botën pa pasur nevojë të jenë fizikisht nëpër ato vende apo kompani, të cilave mund t’u ofrojnë shërbime. Investimet dhe promovimi i TIK-ut në Kosovë është një mundësi e artë për rritje ekonomike, ulje të papunësisë dhe përmirësim të mirëqenies sociale dhe për më tepër rrjetëzim dhe integrim i Kosovës me infrastrukturën globale të TIK-u