Nga stabiliteti financiar te garat ndërkombëtare – synimet ambicioze të Rita Zeqirit në FNK
Federata e Notit të Kosovës (FNK) ka thyer tabunë. Në kuvendin e saj zgjedhor më 30 janar 2025 në krye të saj ka zgjedhur Rita Zeqirin, duke u bërë kështu gruaja e parë që drejton një federatë sporti në vendin tonë. Zeqiri në një intervistë për KosovaPress, thotë se kjo federatë tregoi një shembull për…

Sport
Federata e Notit të Kosovës (FNK) ka thyer tabunë. Në kuvendin e saj zgjedhor më 30 janar 2025 në krye të saj ka zgjedhur Rita Zeqirin, duke u bërë kështu gruaja e parë që drejton një federatë sporti në vendin tonë.
Zeqiri në një intervistë për KosovaPress, thotë se kjo federatë tregoi një shembull për përkrahjen e një gruaje, por përveç kësaj, ajo konsideron se iu besua posti i kryetares edhe për shkak të vlerave sportive që përfaqëson.
“Ardhja ime në këtë pozitë ka qenë vullnet jo vetëm i imi, por edhe i delegatëve dhe të gjitha klubeve të notit që unë të jem përfaqësuesja e tyre në këtë mandat… Besoj që Federata e Notit si institucion ka dhënë një shembull me përkrahjen e një gruaje në një pozitë të caktuar, por megjithatë mendoj që femrat në përgjithësi nuk duhet të qëndrojnë në nivelin e kuotave, por të jenë me meritë aty dhe besoj se komuniteti i notit nuk e ka menduar vetëm aspektin që unë jam femër, por e ka marrë parasysh edhe të kaluarën time sportive dhe vlerat që kam përfaqësuar deri më tani”, tha Zeqiri.
Zeqiri thotë se me ardhjen e saj në krye të FNK-së ka për objektiv kryesor stabilitetin financiar dhe organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare të notit në vendin tonë.
“Synoj shumë që në këtë mandat, së pari, të kemi një stabilitet financiar ku përmes sponsorëve dhe rritjes së nivelit e cilësive të atletëve tanë, të kemi fonde të mjaftueshme dhe stabilitet për t’i realizuar aktivitetet tona – ky është prioriteti. Duke marrë parasysh kompetencën e Federatës së Notit për të organizuar gara të nivelit vendor dhe ndërkombëtar, edhe këtu është një synim tjetër që ta rrisim nivelin e organizimit të kampionateve vendore, por edhe me siguri që do të aplikojmë edhe për gara të ndryshme ndërkombëtare”, tha Zeqiri.
Rezultatet e para tashmë janë arritur. Me katër notare sa mori pjesë në Kampionatin e Hapur të Notit në Dubai të Emirateve, vendi ynë fitoi hiq më pak se shtatë medalje.
“Në tetor ose nëntor 2024 kemi vendosur të aplikojmë për këtë garë dhe të shkojmë. Kemi qenë me katër notare, Bora Ademin, Parga Abazin, Ana Pllanën dhe Artesa Azemin. Jemi kthyer gjithsejtë me shtatë medalje, prej tyre katër të arta, një të argjendtë dhe dy të bronzta. Rezultatet kanë qenë shumë premtuese, tepër shpresëdhënëse për të ardhmen e notit të Kosovës duke marrë parasysh që Bora dhe Parga tashmë kryesojnë në ranglistën evropiane për grup-moshën e tyre gjë që është një ngjarje historike për Federatën e Notit të Kosovës”, tha Zeqiri.
Përtej rezultateve, Zeqiri thotë se noti është një sport që sjell edhe shumë përfitime shëndetësore.
“Noti është ndër sportet e pakrahasueshme sa i përket aspektit shëndetësor duke marrë parasysh faktin se në karrierën e një sportisti ka shumë pak lëndime ose mund të them që e përfundon gjithë karrierën dhe nuk ka asnjë operim ose asnjë lëndim. Përveç kësaj, preferohet shumë fëmijët prej moshës trevjeçare të hyjnë në sportin e notit për t’i zhvilluar aftësitë njohëse, motorike dhe zhvillimin e gjithmbarshëm fizik dhe mendor, andaj noti është në plan-program shkollor në të gjitha vendet e zhvilluara”, tha Zeqiri.
Federata e Notit e Kosovës këtë vit do të ketë një kalendar të ngjeshur sa i përket garave, ndërkohë që janë në bisedime edhe për organizimin e kampionatit të përbashkët me Shqipërinë.
“Federata e Notit synon të merr pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare të nivelit të lartë si Kampionati Evropian, Kampionati Evropian për Junior, Kampionatin Botëror në Singapor, Kupa Evropiane në Ujëra të Hapura. Po ashtu ka prioritet organizimin e kampionatit vendor, maratonës ndërkombëtare, jemi në bisedime për të zhvilluar kampionatin e përbashkët Kosovë-Shqipëri, organizimin e dy apo tri kampeve elitare dhe ofrimin e mundësive për notarët tanë që të marrin pjesë në dy gara kualifikuese për Kampionatin Botëror që mbahet në Singapor”, tha Zeqiri.
E para e Federatës së Notit gjithashtu bëri të ditur se do të kërkojë bashkëpunim më të ngushtë me Ministrinë e Sportit, dhe drejtoritë sportive komunale, në mënyrë që noti të ketë shtrirje në të gjithë vendin duke filluar nga grup-moshat e reja.