Nga Siria në ekran: Si e godet ekstremizmi i dhunshëm Kosovën?

Kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm për Kosovën nuk lidhet më me frontet e luftës në Lindjen e Mesme, por me botën online. Aty, përmes rrjeteve sociale dhe profileve anonime, ideologjitë radikale po gjejnë mënyra të reja për t’u shpërndarë. Rastet e fundit të ndjekura nga Prokuroria Speciale tregojnë se propaganda e frymëzuar nga grupi militant,…

Lajme

02/09/2025 14:31

Kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm për Kosovën nuk lidhet më me frontet e luftës në Lindjen e Mesme, por me botën online.

Aty, përmes rrjeteve sociale dhe profileve anonime, ideologjitë radikale po gjejnë mënyra të reja për t’u shpërndarë.

Rastet e fundit të ndjekura nga Prokuroria Speciale tregojnë se propaganda e frymëzuar nga grupi militant, Shteti Islamik (ISIS), ruan ende ndikimin e saj mbi disa shtresa të shoqërisë.

Pyetja që lind është: a është Kosova e përgatitur për këtë version të kërcënimit?

Prokuroria Speciale e vendit siguron se bashkëpunon ngushtë me policinë, si dhe me institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, në hetimin e rasteve të tilla.

“Aktualisht, në përpunim janë dy raste. Ndërsa, nga fillimi i vitit 2025 e deri në këtë periudhë, janë ngritur dy aktakuza ndaj dy personave për veprën penale: nxitje e përçarjes dhe mosdurimit, përmes propagandës ideologjike dhe përkrahjes së ISIS-it”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë Speciale dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas një njoftimi të këtij institucioni, më 14 gusht, këta dy të akuzuar kanë përdorur rrjetin social, Facebook, për të publikuar fotografi dhe video të personave të radikalizuar, për të shpërndarë materiale me përmbajtje nxitëse dhe për të bërë thirrje për ekstremizëm fetar.

Gjithashtu muajin e kaluar, S.C. u dënua me 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Me Kodin Penal të Kosovës, kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Nga feja tek ultranacionalizmi
Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thotë se Kosova përballet me dy forma të rrezikshme të ekstremizmit, që ushqehen online: njëri me bazë fetare dhe tjetri ultranacionalist, supremacist dhe separatist.

Për të parin thotë se është më i dukshëm dhe trajtohet më shumë në debatin publik, ndërsa ai ultranacionalist shpesh prezantohet si “patriotizëm i flaktë”.

“Kosova është mjaft e cenueshme, për shkak edhe të tensioneve të shtuara politike dhe polarizimit shoqëror që është manifestuar edhe me përplasje ndëretnike”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë linjë është edhe Skënder Perteshi nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë “Prevent”, i cili thotë se radikalizmi me ngjyrime fetare mbetet ndër format më shqetësuese të ekstremizmit në Kosovë, i ndjekur nga ai etno-nacionalist.
Ai shpjegon për Radion Evropa e Lirë se rrjetet sociale janë bërë mjeti kryesor i shpërndarjes së propagandës, ku individë dhe grupe ekstremiste fshehin aktivitetin e tyre nën petkun fetar dhe synojnë kryesisht të rinjtë.

“Ekzistojnë disa grupe të mbyllura, ku individë të caktuar shpërndajnë mesazhe me përmbajtje radikale fetare, ndërsa disa janë persona që vetëquhen imamë dhe nuk jetojnë në Kosovë, por përmes internetit bëjnë propagandë fetare me ndikim të ndjeshëm”, thotë Perteshi.

Qëllimi i tyre, sipas tij, është të minojnë sistemin demokratik dhe besimin e qytetarëve ndaj vlerave perëndimore dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës theksojnë se mësimet që shpërndahen në platformat online, interpretojnë shpesh doktrina me qasje të ngurtë, dhe ofrojnë shpjegime, të cilat jo vetëm që keqinformojnë besimtarët myslimanë, por edhe ushqejnë radikalizmin.

“Ata që veprojnë kështu, i japin vetes të drejtën të interpretojnë gjithçka, pa marrë parasysh kontekstin kohor, kulturor, tradicional dhe doktrinor të vendit ku jetojnë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmet Sadriu, sekretar i përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Mundësia për t’u indoktrinuar është reale dhe si e tillë paraqet shqetësim për të gjithë ne”, thekson ai.

Shtuni thotë se identifikimi i autorëve të propagandës ekstremiste në internet nuk është i thjeshtë.

Sipas tij, ata veprojnë në nivele të ndryshme: disa janë të njohur globalisht, disa në rajon dhe disa lokalë.

Shumë prej tyre thotë se shfrytëzojnë anonimitetin që ofron interneti, duke e bërë të vështirë dallimin e duhur të grupeve apo individëve që financojnë aktivitetet e tyre.

Ai shpjegon se, ndërsa disa grupe shpërndajnë hapur propagandën e Shtetit Islamik në gjuhën shqipe për të radikalizuar audiencat e tyre, të tjerat përfshihen në nxitjen e ndasive dhe konflikteve ndëretnike.

“Për shembull, vende si Rusia (por edhe vende të tjera jomike) kanë platforma propagandistike dezinformuese të sofistikuara, që kanë qëllim polarizimin ndëretnik në Kosovë dhe në Ballkan, e që kanë intensifikuar punën që pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 2022”, thotë Shtuni.

Kryetari i Forumit Mysliman Evropian, Abdul-Vahed Niyazov, gjatë një vizite në Kosovë, në korrik të vitit 2021. (Fotografi e marrë prej llogarisë së Forumit në Facebook).
Washington, thotë se janë bërë shumë studime mbi sfondin demografik të ekstremistëve dhe terroristëve – nga të djathtët ekstremë deri te të majtët ekstremë.

Megjithatë, nuk ka një profil të vetëm – “ajo që shihet më shpesh është se janë të rinj meshkuj”.

“Ekstremistët online zakonisht janë të rinj meshkuj që ndihen të pasigurt dhe të kufizuar nga mundësitë sociale dhe ekonomike”, thotë Baumgartner për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se kërcënimi prej tyre është gjithmonë i pranishëm, por mjafton një ‘shkëndijë’ nga një ngjarje globale – si lufta në Gazë – për ta përshkallëzuar ndikimin.

Kush shënjestrohet dhe përmes cilave platforma?
Nga studimet që ka bërë instituti “Prevent”, Perteshi thotë se grup-moshat më të shënjesteruara në Kosovë janë adoleshentët dhe të rinjtë deri në 26 vjeç.

Situatë e ngjashme vërehet edhe globalisht, thotë Baumgartner.

Ai veçon edhe kategoritë më të cenueshme, si të rinjtë me probleme mendore ose komunitetet LGBTQ, për të cilat thotë se manipulohen më lehtë dhe kthehen në abuzues të mundshëm.

“Në thelb, çdo person që ndjehet i përjashtuar ose i izoluar nga shoqëria rreth tij është më i prirë të bëhet viktimë”, thotë Baumgartner.

Platformat që përdoren më së shumti për përhapje të propagandës ekstremiste janë rrjetet sociale, si Facebook, TikTok, Telegram e të tjera.

“Këto platforma, sidomos ato që ofrojnë edhe komunikim nëpërmjet mesazheve të kriptuara, përdoren edhe për planifikim dhe koordinim veprimesh të paligjshme dhe financim të aktiviteteve të ndryshme nga grupet ekstremiste të dhunshme”, shpjegon Shtuni.

A është Kosova e përgatitur ta përballojë këtë kërcënim?
Ekspertët paralajmërojnë se sfida nuk është vetëm e sigurisë, por edhe shoqërore.

Për të luftuar radikalizmin online, Kosova, sipas tyre, duhet të forcojë mbrojtjen e të rinjve ndaj propagandës, të rrisë kapacitetet e institucioneve ligjzbatuese dhe të investojë më shumë në edukimin qytetar dhe digjital.

“Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë informata dhe janë në masë të madhe aktive. Në baza ditore arrestojnë persona, mbyllin faqe të ndryshme në rrjetet sociale, bëjnë vlerësime analitike dhe hetojnë”, thotë Perteshi.

Në vitin 2023, Kosova ka miratuar Strategjinë e re për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit, e cila do të vlejë deri në vitin 2028.

Dokumenti bazohet në katër objektiva strategjike: parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi.

Por, sipas Mentor Vrajollit, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, fokusi i autoriteteve është pothuajse tërësisht në shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.

“Si rezultat, çështja e ekstremizmit të dhunshëm me bazë fetare duket se ka humbur vëmendjen institucionale”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, dhe paralajmëron se “një largim i tillë i vëmendjes, në plan afatgjatë, mund të përbëjë rrezik të madh”.

“Ndaj, masat parandaluese dhe luftuese ndaj këtij fenomeni duhet të jenë të parreshtura”, thekson Vrajolli.

Kosovarët në luftën e Sirisë
Pas shpërthimit të luftës civile në Siri më 2011, mbi 350 kosovarë shkuan atje, kryesisht për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Sipas Qendrës për Luftimin e Terrorizmit në Akademinë Ushtarake të SHBA-së në Uest Point, Kosova u bë një nga burimet më të mëdha të xhihadistëve evropianë në raport me popullsinë.

Me rreth 16 xhihadistë për çdo 100 mijë banorë, shkalla e rekrutimit ishte tetë herë më e lartë se ajo e Francës, vendi që dërgoi numrin më të madh të luftëtarëve të huaj në Siri e Irak.

Deri në shpartallimin e Shtetit Islamik në fund të vitit 2017, shumica e kosovarëve në Siri jetonin në territoret që kontrolloheshin nga grupi Al-Nusra – dega siriane e organizatës terroriste, Al-Kaida.

Besohet se rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut, edhe pse nga viti 2019, qindra u kthyen përmes operacioneve të riatdhesimit, të organizuara nga shteti kosovar.

Shumë prej tyre u përballën edhe me drejtësinë pas kthimit.

Cilat strategji janë më efektive?
Baumgartner thotë se qeveritë shpesh janë të pafuqishme për të parandaluar radikalizimin online.

Sipas tij, barrën kryesore e mbajnë platformat e mediave sociale, që nuk e rregullojnë mjaftueshëm përmbajtjen ekstremiste.

“Platformat si X janë bërë një vend për neo-nazistët dhe ekstremistët e djathtë – pa asnjë qëllim për moderim më të rreptë. Po ashtu, Meta ka larguar shumë nga stafi i sigurisë dhe kontrollit të fakteve për platformat e saj, si Instagram apo WhatsApp”, thotë Baumgartner.

Sipas tij, vetëm Telegram ka ndërmarrë hapa të qartë, duke mbyllur kanale dhe grupe që promovojnë terrorizmin ose strehojnë organizata terroriste.

Për Shtunin, një nga strategjitë më efektive të shtetit përballë ideologjive ekstremiste është ulja e tensioneve politike dhe polarizimit shoqëror.

“Mbrojtja më e mirë ndaj ekstremizmit të dhunshëm është adresimi i drejtë i sfidave politike, shoqërore dhe ekonomike me frymë tolerance e konstruktiviteti”, përfundon ai.