Nga shtatori Suedia me ambasador në Kosovë

Presidenti Thaçi priti ambasadorin suedez jorezident për Kosovën, prej shtatorit Suedia rrit përfaqësimin diplomatik.

Lajme

25/07/2016 15:56

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot ambasadorin jorezident të Suedisë, Mats Staffansson.

Ambasadori Staffansson në këtë takim e njoftoi presidentin Thaçi se Suedia ka vendosur që të rris përfaqësimin e saj në Kosovë dhe se prej shtatorit do të ketë ambasador të Suedisë në Prishtinë.

Presidenti Thaçi e mirëpriti këtë lajm të mirë dhe shprehu mirënjohje për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Suedisë, thuhet në komunikatën e Presidencës, transmeton lajmi.net

“Ju faleminderit për vlerësimin që i bëni marrëdhënieve tona. Suedia ka qenë dhe mbetet vend mik i Kosovës, tha  Thaçi, thuhet në komunikatë.

Ambasadori Staffansson u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e tij me autoritetet kosovare.

Urime për njohjen e re të shtetit të Kosovës”, tha ambasadori Staffansson, i cili presidentit Thaçi i shprehu ngushëllime edhe për humbjet tragjike të jetëve të qytetarëve me prejardhje nga Kosova në sulmet në Mynih.

Presidenti Thaçi e falënderoi ambasadorin Staffansson për përkrahjen dhe për bashkëpunimin e tij të deritashëm.

Suedia ka ambasadë në Kosovë, por deri më tash ambasador për Kosovën dhe për Shqipërinë ka qenë ambasadori i Suedisë në Shkup, kurse prej shtatorit do të ketë ambasadorin e saj në Kosovë./ lajmi.net