Nga Presidenca i përgjigjen ashpër Avdullah Hotit: Është njeriu i fundit që mund të flasë për moral politik

Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar ashpër ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, pas kritikave që ky i fundit adresoi ndaj Presidentes gjatë ditës së sotme. Në një postim në rrjete sociale, Kadaj-Bujupi ka thënë se “Avdullah Hoti është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë…

Lajme

11/11/2025 15:23

Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar ashpër ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, pas kritikave që ky i fundit adresoi ndaj Presidentes gjatë ditës së sotme.

Në një postim në rrjete sociale, Kadaj-Bujupi ka thënë se “Avdullah Hoti është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik”, duke e akuzuar atë se është bërë kryeministër “nëpërmjet shkeljes dhe keqpërdorimit të vullnetit qytetar, pa vota të tij dhe në mënyrë kundërkushtetuese”, transmeton lajmi.net.

“U nënshtrua para Vuçiqit për ata pak muaj sa ishte kryeministër; modeli i tij i politikbërjes është shembulli më i keq që qytetarët e kanë kuptuar moti se nuk duhet ta ndjekin”, ka shkruar ajo, duke shtuar se Hoti “edhe sot paska tentuar të mashtrojë sërish”.

Kadaj-Bujupi ka sqaruar se deklarata e Presidentes Osmani lidhur me buxhetin dhe vendimet në Kuvend është keqinterpretuar. Sipas saj, “votimi i zgjatjeve buxhetore, Planit të Rritjes, buxhetit të RTK-së, qindra milionave të Bankës Botërore, është çështje që varet nga vullneti i të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, jo vetëm i njërës”.

Ajo shtoi se, meqë partitë opozitare nuk janë pajtuar që këto çështje të procedohen nga Qeveria në detyrë, presidentja ka propozuar që kjo të bëhet nga vetë Presidentja dhe deputetët, brenda kompetencave kushtetuese.
“Kjo gjë jo vetëm që lejohet, por është parashikuar në mënyrë taksative në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi”, ka theksuar Kadaj-Bujupi.

Në fund, ajo e ka akuzuar Hotin se “gënjen qytetarët pa pikë turpi” dhe se me qasjen e tij “rrezikon që Kosovës t’i humbin mbi 1 miliard euro dhe mijëra familje të mbeten pa paga, pa ushqim e pa barna”.
“S’i intereson, sepse prioritet e ka të sulmojë Presidenten – njësoj si atëherë kur thoshte se Vjosa Osmani do të marrë zero vota”, ka përfunduar këshilltarja presidenciale.

Ndërkohë, Avdullah Hoti më herët gjatë ditës kishte reaguar ndaj deklaratës së Presidentes Osmani për çështjet që presin shqyrtim në Kuvend, duke e quajtur atë “për keqardhje”.

Postimi i plotë: 

Avdullah Hoti është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik.
I bërë kryeministër nëpërmjet shkeljes e keqpërdorimit të vullnetit qytetar, pa vota të tij, në mënyrë krejtësisht kundërkushtetuese, e duke u nënshtruar para Vuçiqit për ata pak muaj sa ishte kryeministër; modeli i tij i politikbërjes është shembulli më i keq që qytetarët shumë moti e kanë kuptuar se nuk duhet ta ndjekin. Edhe sot paska tentuar të mashtrojë sërish.
Sa i përket deklaratës së Presidentes sot, ajo ka qenë e qartë se votimi i zgjatjeve buxhetore, Planit të Rritjes, buxhetit të RTK-së, qindra miliona të Bankës Botërore, etj., janë çështje në vullnet të partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Pra, në vullnet të të gjitha partive, e jo vetëm njërës apo tjetrës. Presidentja ka propozuar që, meqë partitë opozitare nuk janë dakord që këto vendime e ligje të procedohen në Kuvend nga Qeveria në detyrë, kjo të bëhet nga Presidentja (brenda kompetencave kushtetuese) dhe nga vetë deputetët (përsëri brenda suazave kushtetuese). Kjo gjë jo vetëm që lejohet, por është e parashikuar në mënyrë taksative në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi.
Pra, mundësia për të kaluar edhe Planin e Rritjes, edhe zgjatjet buxhetore, edhe marrëveshjet me Bankën Botërore, edhe buxhetin e RTK-së dhe shumë vendime të tjera ekziston. Por, ekzistojnë edhe njerëz si Hoti që i gënjejnë qytetarët pa pikë turpi, sepse në asnjë moment nuk mendojnë se moskalimi i këtyre vendimeve mund t’i humbë Kosovës mbi 1 miliard euro, dhe në mungesë të buxhetit mund t’i lë mijëra familje pa paga, pa ushqim, pa barna të nevojshme, e pa institucione funksionale. Hotit, natyrisht, kjo s’i intereson ashtu si nuk i ka interesuar kurrë. Prioritet e ka të sulmojë Presidenten. Njësoj si atëherë kur thoshte se “Vjosa Osmani do të marrë zero vota”./lajmi.net/