Nga një refugjatë në superyllin e Bayernit, historia inspiruese e Alphonso Davies

Nga kampet e refugjatëve në një ndër klubet më të mëdha në botë, historia e Alphonso Davies është e gjitha për t’u treguar… dhe lexuar.

Sport

26/05/2020 10:30

19-vjeçari kanadez u bashkua me Bayern Munich në janar të vitit të kaluar, pasi u ble për 19 milionë dollarë nga skuadra e MLS Vancouver Whitecaps. Fakti që kjo ishte shifra më e lartë ndonjëherë e paguar për një lojtar të një skuadre të kampionatit amerikan i thotë të gjitha.

Davies po kalon momentet më të mira në karrierën e tij, duke mahnitur me përformancat e tij me Bavarezët – duke fituar edhe vendin e startuesit, përcjell lajmi.net.

Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm për djaloshin, i cili ka lindur në një kamp refugjatësh në Gana në vitin 2000. Kur nisi Lufta e Dytë Civile në Liberi, prindërit e tij Victoria dhe Debeah Davies, u larguan nga vendlindja. “Për të gjetur ushqim asokohe duhe të kaloje mbi trupat e viktimave”, kujton mamaja e tij, Victoria. “Ishte e vështirë dhe e rrezikshme”, tregon babai i tij Debeah. “Ishte e vështirë të jetoje atje sepse ndonjëherë e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte me armë në dorë. Dhe ne nuk ishim fare dëshirë që të qëllonim me armë”.

Ata nisën kështu një udhëtim prej qindra kilometrash përmes Afrikës Perëndimore, duke gjetur në fund strehë në një kamp refugjatësh në Buduburam, në lindje të Ganës. Djali i tyre i madh, Alphonso, lindi pikërisht atje, më 2 nëntor 2000, dhe po aty kaloi pesë vitet e para të jetës së tij.

Më vonë, familja arriti të kalonte intervistën me agjencinë kanadeze të emigracionit dhe u vendos në Edmonton, kryeqytetin e provincës së Albertas. Alphonso u përfshi shpejt në një program futbolli për fëmijët të cilët nuk përballonin dot kostot e transportit për të ndjekur klubet e mëdha.

Aty ai u pikas nga zbuluesit e talenteve të Whitecaps dhe katër vjet më parë, kur ishte vetëm 15, Davies bëri edhe debutimin si profesionist me skuadrën e dytë. Një muaj më vonë, shënoi golin e parë. Po atë verë, trajneri i Whitecaps, Carl Robinson, guxoi mbi të gjithë dhe thërriti Alphonson në skuadrën e parë duke bërë që ai të shndërrohej në lojtarin e dytë më të ri që debutonte në MLS, pas Freddy Adu.

Robinson, ish-lojtar i Wolverhampton, Sunderland dhe Norwich në Angli, thotë për adoleshentin: “I ka të gjithë cilësitë që kërkohen te një lojtar i nivelit të lartë: është i gjatë, është atlet, mund të vrapojë gjithë ditën dhe ka një shpejtësi fenomenale. Duhet të punojë pak me faktin që gjërat e vështira i bën mirë, por ndonjëherë gabon tek ato më të lehtat. Por kjo vjen për shkak të përqendrimit”, transmeton lajmi.net.

Vitin e kaluar, Davies mori nënshtetësinë kanadeze dhe pasi u sqaruan formalitetet, ai u shndërrua në lojtarin më të ri që debutonte me kombëtaren e shtetit amerikano-verior, kur ishte vetëm 16 vjeç. Disa klube të tjerë shfaqën interes për të, me tyre Manchester United, Liverpool dhe Chelsea por Bayern bëri një ofertë që nuk mund të refuzohej.

“Ai ka mentalitetin e Robbie Keane, i cili nuk pyeste për njeri, por karakteristikat fizike dhe të lojës i ka si Gareth Bale”, kujton Robinson. “Kam punuar me Gareth te Uellsi dhe do të thoja që Alphonso është rreth të njëjtit nivel. Madje ai tani po kalon te një klub i madh, Gareth nuk e kishte këtë mundësi kur ishte 17 vjeç”. /Lajmi.net/