Nga nesër asnjë gjykatës i EULEX-it nuk ka mandat të gjykojë

Sonte në mes natë i kalon mandati EULEX-it, ndërsa krerët e shtetit janë ende në takim që po negociojnë për modalitetet e funksionimit të këtij misioni.

Lajme

14/06/2016 18:29

Avokati Arianit Koci thotë se nëse nuk i vazhdohet mandati EULEX-it deri sonte në mes natë, asnjë gjykatës ndërkombëtare nuk ka mandat të gjykojë.

Kjo sipas Kocit shkakton telashe tjera zinxhirore.

“Sonte ne 24.00, përfundon mandati i Eulexit dhe prej ditës se nesërme, asnjë gjykatës ndërkombëtare nuk ka mandat te gjykojë. Derisa prokuroret e Eulexit mund te zëvendësohem nga ana e vendoreve, pa pasoja juridike, te rasti i gjykatësve është situate tjetër. Me ndërrimin e Kryetarit te Trupit Gjykues, procedura penale fillon prej fillimit”, thotë Koci për Indeksonline.

Koci konsideron se zvarritja e lëndëve penale shkakton pasoja juridike në sistemin e drejtësisë.

“Prandaj, zvarritja e tillë e lendeve penale, shkakton probleme serioze juridike për sistemin tonë të drejtësisë, dhe ndikon drejtpërdrejt në shkeljen e të pandehurve për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”.

Koci mendon se Kosova ende ka nevojë për këtë mision dhe për ekspertizën e tyre.

“Përndryshe, ende kemi nevoje për EULEX-in, dhe ekspertiza e tyre na nevojitet për përfarimin e sistemit tonë të gjyqësisë, me sistemin e Bashkimit Evropian. Vazhdimin e këtij mandati duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht, që të gjitha lëndët e profilit të lartë, t’i administrojmë vet, pas dy vitesh”, thotë Koci për Indeksonline.

Ndërsa takimi i krerëve të shtetit po vazhdon, pritet që të thirret mbledhja e Kryesisë së Kuvendit që të caktohet data e seancës për vazhdimin e mandatit për misionin evropian, EULEX.