Nga LDK-ja marrin pjesë në seancën e sotme konstituive, Zogaj: Përgjegjësia për kryekuvendar është e Vetëvendosjes
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahet seanca e radhës konstituive. Edhe pse kanë kaluar gati tre muaj nga zgjedhjet parlamentare, institucionet vazhdojnë të jenë të paformuara e vendi funksionon me drejtues në detyrë. Në seancën e parakaluar në Kuvendin e Kosovës u arrit që të bëhej betimi i deputetëve të rinj të legjislaturës…

Lajme
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mbahet seanca e radhës konstituive.
Edhe pse kanë kaluar gati tre muaj nga zgjedhjet parlamentare, institucionet vazhdojnë të jenë të paformuara e vendi funksionon me drejtues në detyrë.
Në seancën e parakaluar në Kuvendin e Kosovës u arrit që të bëhej betimi i deputetëve të rinj të legjislaturës së nëntë.
Por pavarësisht kësaj, Kuvendi vazhdon të jetë i pakonstituar derisa nuk zgjedhen kryetari dhe nënkryetarët nga grupet parlamentare.
Sot pritet që Lëvizja Vetëvendosje të tentoj edhe një herë për të propozuar emrin e kandidates Albulena Haxhiu për të parën e Kuvendit.
Vetëvendosje e propozoi dy herë radhazi emrin e Haxhiut por e njëjta nuk mori përkrahjen e partive të tjera politike. Haxhiu u votua nga deputetët e VV-së dhe mori disa vota nga komunitetet.
Atë nuk e votuan PDK,LDK, AAK dhe as nga Nisma socialdemokrate të cilët zgjodhën që të abstenonin.
Kurse të hënën nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca njoftoi se duhet bashkëpunim partiak që të dilet nga kjo situatë derisa tha se pasi e dinë se këto parti politike nuk duan të votojnë Haxhiun s’do e hedhin fare në votim.
Seanca u ndërpre për t’u vazhduar sot.
Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar deputetin e zgjedhur nga LDK-ja, Alban Zogaj.
Zogaj ka konfirmuar se do të marrin pjesë në seancën e sotme dhe se janë për të krijuar institucionet.
“Ne do të marrim pjesë në çdo seancë të thirrur. Ne jemi për të krijuar institucionet sa më shpejtë që të jetë e mundur, pa asnjë vonesë”, deklaroi Zogaj.
Ai tha po ashtu se përgjegjësia për të propozuar emrin për Kryetar të Kuvendit e ka grupi më i madh politik në vend e që është Vetëvendosje.
Vetëvendosje ka dështuar që nga data 19 prill që të zgjedhë Haxhiun si kryeparlamentare.
E në publik janë përmendure dhe disa emra të mundur për Kryetare të Kuvendit nga radhët e kësaj partie.
Shqipe Selimi, Saranda Bogujevci, Mimoza Kusari-Lila dhe Fatmir Limaj nga Nisma socialdemokrate.
Edhe pse është konfirmuar se në mes VV-së dhe Nismas kanë vazhduar diskutimet, siç duket këta të fundit nuk janë dakorduar ende në marrëveshje.
Edhe pse nga VV-ja deklaronin se i kishin siguruar numrat për formimin e qeverisë, në fakt realiteti doli se nuk i kanë votat as për kryekuvendar. Mbetet të shihet nëse VV-ja do ketë zgjidhje apo qytetarëve do t’u duhet të shkojnë sërish në zgjedhje si shkak i bllokadave institucionale./Lajmi.net/