Të Infektuar: 1047

Të Shëruar: 794

Të Vdekur: 30

Nga janari u importuan 87 ngarkesa me spec të bluar, salcë domatesh e kërpudha nga Kina

16:25 | 21 Maj 2020

Kosova ka importuar 87 ngarkesa me produkte ushqimore gjatë këtij viti nga Kina, shtet në të cilin u konfirmua rasti i parë me COVID-19.

Nga ky shtet, është importuar spec i bluar, salcë domatesh dhe kërpudha të konservuara.

Detaje rreth importeve nga Kina kanë dhënë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës.

Zëdhënësi i Agjencisë Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi i ka thënë Gazetës Express se në tre muajt e fundit janë importuar 43 ngarkesa me produkte ushqimore nga Kina.

Sipas Thaçit, të gjitha këto ngarkesa kanë qenë të shoqëruara me gjithë dokumentacionin e nevojshëm bazuar në ligjet në fuqi.

“Prej këtyre ngarkesave në tre muajt e fundit Mars-Maj janë importuar 43 ngarkesa kryesisht me produktet e cekura me lart. Të gjitha këto ngarkesa kanë qen të shoqëruara me gjithë dokumentacionin e nevojshëm bazuar në ligjet në fuqi me të cilat dëshmohet siguria e produkteve, duke përfshirë edhe raporte të analizave laboratorike”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka treguar edhe për produktet ushqimore që janë importuar, derisa ka bërë me dije se gjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë ngarkesë me produkte ushqimore me origjinë shtazore nga ky shtet.

“Gjatë muajve Janar –Maj 2020 kontrollit të Inspektoratit Fitosanitar të Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë produkte ushqimore nga Kina u janë nënshtruar 87 ngarkesa (Importe) kryesisht janë importuar ;Spec i Bluar, Salcë Domatesh dhe kërpudha te konservuar”, thuhet në përgjigjet e Thaçit drejtuar Gazetës Express.

Në fund të janarit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës kishte ndaluar importin e ushqimit për vlerë dhe hojet e bletëve, për t’iu shmangur rrezikut nga përhapja e virusit.

“Ne si shtet nuk kemi importe nga shteti i Kinës, të produkteve ushqimore  të cilat potencialisht konsiderohen si lëndë e përmes të cilës mund të bartet virusi, njëkohësisht nuk kemi importe të kafshëve të gjalla. I vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve. Të cilat i kemi ndaluar menjëherë për import. Kjo na ndihmon që ne ti shmangemi rrezikut direkt nga vendi i origjinës se virusit”, kishin deklaruar nga AUV-i për Express.

Ndryshe, mbrëmë në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 208 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Nga testimi i këtyre mostrave, pozitive kanë rezultuar 14 prej tyre.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Komuna e Prizrenit dhe Rahovecit.

Përveç për rastet e reja, Instituti ka njoftuar edhe për shërimin e tre pacientëve.

“Sot më 20 maj 2020, janë shëruar 3 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 772 raste”, thuhet në njoftim.

Që nga konfirmimi i dy rasteve të para më 13 mars e deri tani, në vend janë konfirmuar 1 mijë e 3 raste me koronavirusin e ri. Prej tyre 722 janë shëruar, derisa betejën me koronavirusin e kanë humbur 29 persona, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 20 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 5.039.593 raste të COVID-19 dhe 326.903 raste të vdekjes.