Nga aksidenti që kishte shkaktuar Arza Cakolli kishin vdekur dy shoqet e saj, Osmani e fali atë një muaj pasi lindi foshnjën

Si rrallëherë mbrëmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani mori një vendim ndryshe. Osmani e cila njihet që përgjatë mandatit të saj të mos ketë falur as edhe një të burgosur, mbrëmë mori vendim që të falë një të burgosur. Rasti të cilin e fali Osmani është shumë i ndjeshëm, e padyshim kërkonte trajtim të veçantë.…

Lajme

30/01/2025 08:57

Si rrallëherë mbrëmë presidentja e vendit, Vjosa Osmani mori një vendim ndryshe.

Osmani e cila njihet që përgjatë mandatit të saj të mos ketë falur as edhe një të burgosur, mbrëmë mori vendim që të falë një të burgosur.

Rasti të cilin e fali Osmani është shumë i ndjeshëm, e padyshim kërkonte trajtim të veçantë.

Presidentja nënshkroi dekretin me të cilin të dënuarës, Arza Cakolli i është falur pjesa e mbetur e dënimit.

Sipas njoftimit të Presidencës, vendimi është marrë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjën e saj.

“Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për ‘Rrezikim të Trafikut Publik’, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

E për të qartësuar më tepër.

Rasti i Arza Cakollit është edhe më i ndjeshëm për faktin se në vuajtjen e dënimit të burgut ajo lindi fëmijën e saj, raporton lajmi.net.

Pra ka mbi një muaj që Arza është bërë nënë dhe foshnja e saj po qëndronte në burg bashkë me të, në ambiente padyshim aspak të përshtatshme për një foshnje të sapolindur.

Por si kishte ndodhur rasti për të cilën po e vuante dënimin Arza Cakolli.

Në vitin 2017 e njëjta kishte shkaktuar një vetëaksident, ku si pasojë kishin mbetur të vdekura dy shoqet e saj, E.I dhe E.M.

E njëjta për këtë aksident në vitin 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj më 18 muaj burgim efektiv.

Cakolli e ka filluar mbajtjen e dënimit prej 1 vit e dy muaj burg, në korrik të vitit 2024, ndërkaq do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti, pasi shkalla e dytë ia kishte ulur dënimin në 14 muaj.

Në lidhje me rastin, Prokuroria Themelore në Ferizaj pati ngritur aktakuzë më 25 janar 2018. Sipas aktakuzës, Azra Cakolli, më 24 dhjetor 2017, rreth orës 03:43, në rrugën Ferizaj-Greme, duke drejtuar automjetin e markës “Opel Vectra” nga pakujdesia e në kundërshtim me nenin 53.1 të LSKRR-së, kishte rrezikuar trafikun publik duke humbur kontrollin e lëvizjes kishte dalë nga rruga dhe vetura ishte rrotulluar ku përpos dëmeve materiale lëndime vdekjeprurëse kishin marrë dy bashkudhëtaret E.M dhe E.I.

Sipas prokurorisë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të KPRK-së.

Përpos kësaj, në rastin e Arza Cakollit ishte marrë edhe një vendim ndoshta krejtësisht i padrejtë.

Pas lindjes së fëmijës, Arza nuk ishte mbajtur thuajse fare në spital dhe e njëjta ishte kthyer menjëherë në burg. Nga i ftohti dhe gjendja që kishte në burg fëmija i ishte sëmurë.

Anipse mjekët kishin propozuar që foshnja të qëndronte më gjatë në spital, një gjë e tillë ishte refuzuar dhe ajo u kthye menjëherë në dhomën e ftohtë të burgut bashkë me fëmijën.

Në lidhje me faljen që i bëri presidentja Osmani në këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Haxhiu publikoi edhe një fotografi të tyre ku tha se ajo sapo është liruar dhe bashkë me fëmijën e saj i është bashkuar familjes.

“Sapo kemi pranuar Dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, për faljen e pjesës së mbetur të dënimit të Arza Cakollit, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tij.Arza Cakolli sapo është liruar dhe së bashku me fëmijën e saj i janë bashkuar familjes.

Siç është njoftuar edhe nga Presidenca, falja është bërë për arsye humanitare, dhe për këtë, falënderojmë Presidencën për bashkëpunimin”.

E kur jemi tek faljet apo dekretet e presidentes Osmani duhet përmendur faktin se Osmani gati ka përfunduar mandatin e saj pa falur as edhe një person.

Pavarësisht që në Presidencën e Kosovës janë dërguar brenda vitit rreth 100 kërkesa nga të burgosur të shumtë, e të dënuar për vepra të ndryshme Osmani u ka thënë jo këtyre rasteve./Lajmi.net/