Nga 9 qershori hyn në fuqi udhëzimi i ri për CKP-në, zgjidhet problemi i shoferëve të kamionëve dhe autobusëve

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se është nënshkruar Udhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MMPHI) nr. 15/2024, i cili do të hyjë në fuqi më 9 qershor. Sipas Bashës, udhëzimi i ri adreson problemet me të cilat janë përballur shoferët e kamionëve dhe autobusëve që operojnë…

Lajme

02/06/2026 12:34

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se është nënshkruar Udhëzimi Administrativ për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MMPHI) nr. 15/2024, i cili do të hyjë në fuqi më 9 qershor.

Sipas Bashës, udhëzimi i ri adreson problemet me të cilat janë përballur shoferët e kamionëve dhe autobusëve që operojnë në transportin ndërkombëtar, për shkak të mungesës së një baze të qartë ligjore për lëshimin e Certifikatës së Kompetencës Profesionale (CKP).

“Që nga marrja e mandatit si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, kam pranuar shqetësime të shumta nga shoferët dhe operatorët e transportit lidhur me vështirësitë e krijuara nga mungesa e bazës së qartë ligjore për lëshimin e Certifikatës së Kompetencës Profesionale (CKP)”, ka shkruar Basha.

Ai ka bërë të ditur se kjo situatë kishte shkaktuar gjoba të shumta për shoferët dhe vështirësi gjatë kalimit të kufijve.

Ministri tha se menjëherë pas marrjes së detyrës është formuar një grup punues dhe janë angazhuar kapacitetet profesionale për trajtimin e çështjes me prioritet.

“Prandaj, në kohë rekord kemi hartuar dhe finalizuar Udhëzimin Administrativ për Ndryshimin dhe Plotësimin e Udhëzimit Administrativ (MMPHI) nr. 15/2024, të cilin e nënshkrova sot”, ka deklaruar ai.

Sipas Bashës, me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri javën e ardhshme, do të zhbllokohet procesi i certifikimit të shoferëve fillestarë me Certifikatën e Kompetencës Profesionale.

“Nga java e ardhshme kur Udhëzimi hyn në fuqi, do të zhbllokohet përfundimisht procesi i certifikimit të shoferëve fillestarë me Certifikatën e Kompetencës Profesionale (CKP), duke eliminuar pengesat e kahmotshme”, ka theksuar ministri.