Nga 756 milionë euro ndihma, për familjet e të ngujuarve asnjë cent
Emisioni Fiks Fare ka trajtuar fenomenin e gjakmarrjes. Ata kanë vizituar familjen Demaj në Bajram Curr, e cila qe disa vite është e ngujuar në shtëpinë e vet.
Lajme
Familja ndodhet e ngujuar prej kohësh në kullën e saj për shkak të një vrasjeje. Kryefamiljari Qerim Demaj tregoi historikun e gjakmarrjes, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Nurija bëri thirrje për ndihmë.
“Në Belgjikë na refuzuan, nuk na besuan. U ndjeva keq. Sot pres nga shteti që ta mësoj që jemi në gjak, të na përkrahë, të shkollojmë fëmijët”, thotë ajo.
Në gjithë rrethin e Tropojës janë 64 familje në gjak, nga të cilat, sipas të dhënave zyrtare, 19 janë të ngujuara.
Ndërkohë, në Shqipëri janë rreth 600 familje të ngujuara. Në ndihmë të këtyre familjeve donatorët e huaj thonë se kanë dhënë 76 milionë euro ndihmë financiare dhe materiale që nga viti 2005 e deri në vitin 2013. Sipas një përllogaritjeje, do të duhej të shkonte në 8-9 mijë euro ndihma materuiale për një familje në vit.
Por realiteti është krejt tjetër. Në xhepat e familjeve që vërtet kanë nevojë për këto para nuk ka përfunduar asnjë qindarkë.
Kreu i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve akuzoi për këtë shoqatat, numri i të cilave të ngritura vetëm për gjakmarrjen shkon në 83.
Ai tha se këto shoqata mashtrojnë donatorët e huaj me video dhe filmime dhe më pas paratë e siguruara prej tyre i përvetësojnë, madje në këtë “lojë” përfshiu edhe Avokatin e Popullit, i cili ka nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi me këto shoqata.
Megjithatë institucioni i Avokatit të Popullit u përgjigj duke thënë se bashkëpunimet janë në kuadrin e shkëmbimit të të dhënave dhe as jep dhe as merr fonde, raporton Top Channel.