Nga 2012-a, 400 kosovarë iu bashkuan ISIS-it në Siri e Irak
Kthimi i 110 kosovarëve nga vatrat e luftës në Siri, në prill të vitit të kaluar, vazhdon të jetë sfidë për Kosovën.
Lajme
Vendi po punon pak për identifikimin e personave të radikalizuar, ani pse ende nuk kanë pasur mundësi t’i bashkohen vatrave të luftës. Kështu u tha të mërkurën në publikimin e raportit “Zbërthimi i përgjigjes së Kosovës ndaj të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak”, në kuadër të projektit “Analizimi i procesit të ri integrimit për luftëtarët e huaj të kthyer në komunitet”, nga Qendra Kosova për Studime të Sigurisë”.
Teuta Avdimetaj nga QKSS tha se që nga viti 2012, në Siri dhe Irak janë bashkangjitur mbi 400 persona nga Kosova, ku shumë fëmijë edhe kanë lindur në këto zona.
Skënder Perteshi hulumtues në QKSS tha se në krahasim me vitin 2013, që synim ka qenë luftimi i radikalizmit, së fundmi është riintegrimi i këtyre personave, që po bëhen pjesë e luftërave në Siri e Irak.
“Raporti jonë tregon që Kosova është një prej vendeve të rralla që ka marrë vendim për kthimin e qytetarëve, për dallim prej disa vendeve të Bashkimit Evropian, ku kthejnë vetëm fëmijët. Kjo sjell edhe një barrë shumë të madhe. Kosova ka ndërmarrë hapa për rehabilitimin e tyre, por qasja ka qenë ndryshe”, tha ai.
Perteshi tha se rikthimi i 110 qytetarëve në vitin e kaluar në Kosovë, ishte sfidë për institucionet e Kosovës.
“Nuk ka pasur qasje koherente në mes institucioneve. Shumica e dënimeve që janë marrë për luftëtarët kanë qenë të shkurtra. Nuk ka pasur masa përcjellëse në momentin që kur ai del prej burgut. Kur ata kanë dalë në komunitet nuk ka pasur masa konkrete për trajtimin e tyre”, ka shtuar Perteshi.
Përkundër investimeve të mëdha ai tha se ka nevojë për trajtime specifike, në veçanti për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Sipas Perteshit, shumë pak po punohet në identifikimin e personave të radikalizuar dhe i takojnë kësaj ideologjie, e që në fakt nuk kanë marrë pjesë ende në këto luftëra./kp