Nga 12 tetori nis intervistimi i dëshmitarëve për procesin e privatizimit të AKP-së
Kryesuesi i komisionit parlamentar hetimor lidhur me procesin e privatizimit, Hajrullah Çeku në një konferencë për media ka prezantuar punën dhe veprimet e këtij Komisioni.
Lajme
Kryesuesi i këtij Komisioni ka thënë se dëshmitarët që janë të ftuar për të dhënë dëshmi, kanë obligim ligjor dhe moral t’i përgjigjen ftesës për të dëshmuar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.
“Tashmë kemi hyrë në muajin e dytë të punës ku janë marrë disa vendime, siç është edhe plani i punës gjashtë mujore. Po ashtu është miratuar lista e dëshmitareve. Në të njëjtën kohë kemi angazhuar edhe katër ekspertë të jashtëm. Gjithashtu kemi grumbulluar një sërë dokumentesh nga AKP. Kemi miratuar listën e parë me 21 dëshmitarë, që janë ish-ministra, drejtorë dhe ish-drejtorë të AKP. Ndërsa, intervistimi i tyre nis nga 12 tetori”, tha Çeku.
Ai po ashtu ka thënë se në grupin e dytë për intervistim bëjnë pjesë pronarë të atyre ndërmarrjeve që kanë privatizuar dhe gazetarë që kanë ndjekur procesin në atë kohë.
Çeku tha se në këtë proces hetimor përfshihen edhe qytetarë, palë të treta për të siguruar dëshmi dhe prova të privatizimit.
“Kush do që ka dëshmi për procesin e privatizimit le t’i dorëzojnë në Komisionin hetimor. Është obligim ligjor dhe moral i gjithsecilit t’i përgjigjen ftesës së Komisionit si dëshmitar, ku do që të gjinden, qofshin ish- ministra, zyrtarë dhe të tjerë”, tha ai.
Ky Komision tashmë ka bërë publik edhe emrat e dëshmitarëve nga grupi i parë.