Nga 1 korriku, do të jetojmë pak më lirë
Ligji, i cili parasheh uljen e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për disa produkte, nga 16 për qind, sa është aktualisht, në 8 për qind, mund të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti.

Lajme
Nahit Sharku, zëvendësdrejtor në Administratën Tatimore të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet në këtë ligj kanë përfunduar dhe janë dërguar në Qeveri, ku edhe janë miratuar, ndërkohë që presin edhe miratimin në Kuvend.
“Nëse të gjitha procedurat ligjore shkojnë ashtu siç ka parashikuar Qeveria, atëherë ky ligj duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti”, bën të ditur ai.
Sharku sqaron se ka një reduktim të normës së TVSH-së nga 16 në 8 për qind për produktet bazë që përbëjnë shportën e konsumatorit.
“Këto janë: buka, vaji, kripa, qumështi, orizi, vezët, pastaj është pjesa e librave dhe gazetave që trajtohen në një kategori të veçantë. Në kuadër të 8 për qindëshit janë barnat, produktet farmaceutike, aparatet, pajisjet mjekësore”, shpjegon ai.
Në listën e normës së ulur të TVSH-së do të hyjnë edhe shërbimet publike, pra uji, energjia elektrike, ngrohja dhe mbledhja e mbeturinave.
“Përveç kësaj, Ligji parasheh edhe një listë rezervë që ministri ka të drejtë më vonë, varësisht nga zhvillimet ekonomike, të zgjerojë (listën) apo edhe ta ngushtojë, nëse mund të vijë deri te një vendim tjetër”, tregon Sharku.
Ekspertë të çështjeve ekonomike e kanë vlerësuar pozitivisht këtë lëvizje të qeverisë. Ata kanë theksuar se ulja e TVSH-së për produktet ushqimore elementare do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes sociale për një kategori të qytetarëve.
Edhe qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë theksojnë se kjo ulje e normës së TVSH-së do t’i ndihmojë ata për përballimin më të lehtë të jetesës së shtrenjtë.