Netanyahu lë të hapur mundësinë e vrasjes së Khameneit: Askush nuk është imun

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi këtë të enjte se operacionet ushtarake kundër Iranit do të vazhdojnë deri në eliminimin e plotë të çdo kërcënimi bërthamor dhe raketor ndaj Izraelit. Duke folur nga Spitali Soroka në jug të vendit, i cili u godi më herët nga një raketë iraniane, Netanyahu u shpreh qartë për synimet e…

Bota

19/06/2025 18:46

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi këtë të enjte se operacionet ushtarake kundër Iranit do të vazhdojnë deri në eliminimin e plotë të çdo kërcënimi bërthamor dhe raketor ndaj Izraelit. Duke folur nga Spitali Soroka në jug të vendit, i cili u godi më herët nga një raketë iraniane, Netanyahu u shpreh qartë për synimet e Tel Avivit.

“Deri në fund të këtij operacioni, nuk do të ketë më kërcënim bërthamor për Izraelin, as kërcënim me raketa balistike,” tha ai para gazetarëve.

Ai pretendoi gjithashtu se Izraeli ka arritur tashmë “të dëmtojë rëndë” programin bërthamor iranian, pa dhënë detaje konkrete mbi veprimet e kryera apo pasojat.

I pyetur nëse udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, mund të jetë objektiv i veprimeve të ardhshme izraelite, Netanyahu u përgjigj shkurt: “Askush nuk është imun.”

Por teksa tensionet rriten po ashtu rriten edhe sugjerimet për influencën në rritje të djalit të Khamenei, Mojtaba dhe mundësisë që ai të pasojë të atin në rast se Izraeli e nxjerr nga skena.

Aktualisht Mojtaba është një klerik i nivelit të mesëm, por i konsideruar një personazh influent në rrethin e vendimmarrjes së Republikës Islamike, pavarësisht daljeve të rralla publike.

Burime konfidenciale kanë deklaruar për agjencinë “Reuters” se ai ka krijuar lidhje solide me Gardën Revolucionare dhe aktorët e rëndësishëm politikë në Teheran.

Edhe pse Khamenei nuk e ka miratuar kurrë një pasardhës, në Iran sugjerohet se Mojtaba është konsideruar prej kohësh si një nga kandidatët kryesorë për postin e liderit të ardhshëm suprem. Një tjetër figurë ishte presidenti Ebrahim Raisi, i cili vdiq në një incident ajror majin e vitit të kaluar.