Nesër vendimi, Azem Syla në arrest policor

Ish-deputeti i PDK-së Azem Syla do të qëndrojë edhe sonte nën arrest policor deri nesër, kur edhe pritet që gjykata të japë një vendim për masën e sigurisë ndaj tij.

Lajme

29/04/2016 18:34

Prokurori ka kërkuar 30 ditë paraburgim për ish deputetin Syla, i cili është arrestuar sot në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në Vërmicë.

Syla është në kërkim nga Policia me urdhër të Prokurorisë Speciale si i dyshuar për krim të organizuar, tjetërsim të pronave, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumenteve.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, avokati i Sylës tha se prokurori ka kërkuar 30 ditë paraburgim për klientin e tij.

“Në kërkesën për paraburgim prokurori ka arsyetuar me faktin se Syla ka rrezik ikje, ndikim tek dëshmitarët ku e ka përmendur edhe dëshmitarin Nazim Bllaca”,tha Gashi.

Sipas Gashit prokurori pretendon se toka që janë tjetërsuar janë të viteve të 50-ta dhe 60-ta.

Sipas Gashit Gjykata nesër do ta sjellë vendimin për shkak të volumit të lëndës ndërsa Azem Syla do të qëndrojë në ndalim policor.

Azem Syla së bashku me 50 persona tjerë dyshohen për veprat penale që kanë lidhje me krimin e organizuar, marrje ryshfeti, tjetërsim pronash. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar gjashtë persona për të cilët dje u është caktuar nga 30 ditë paraburgim. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka.

Policia të mërkurën nuk ka arritur ta gjejë askund ish-deptuetin Syla. Ai tek sot ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria ku edhe është arrestuar gjatë hyrjes në Kosovë.

Syla njëra prej figurave kyçe të PDK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit.