Nesër pritet të mbahet konferenca e parë pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ZPS-ja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën më 23 prill pritet të mbahet konferenca e parë për ecurinë e çështjes pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në këtë konferencë, pritet të diskutohet për hapat…

Lajme

22/04/2025 12:49

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën më 23 prill pritet të mbahet konferenca e parë për ecurinë e çështjes pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në këtë konferencë, pritet të diskutohet për hapat procedural pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ZPS, pasi edhe mbrojtja ka njoftuar se do të bëjë kërkesë për rrëzimin e një ose më shumë akuzave në aktakuzë.

Ndryshe, sipas Rregullores së procedurave dhe provës, në varësi të vendimit për këto mocione, mbrojtësi i viktimave do të ketë mundësinë që t’i paraqes provat e veta, të cilën të drejtë ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë.

Po ashtu, edhe mbrojtja e të akuzuarve ka thënë se planifikojnë që të thërrasin dëshmitarët e tyre, por për siguri do presin vendimin lidhur me mocionet për rrëzimin e akuzave.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi