Nesër edhe një përpjekje për konstituim- a do të mbetet Albulena Haxhiu si e propozuar e Vetëvendosjes?

Duke nisur nga ora 10:00 nesër pritet të zhvillohet seanca e radhës, apo thënë qartësisht vazhdimi i seancës konstituive të nisur javë më parë. Për herë të tetë radhazi deputetët e zgjedhur nga 9 shkurti do të mblidhen nesër sërish, në përpjekje për të arritur konstituimin e kuvendit. Deputetët e betuar tashmë të Kuvendit të…

Lajme

28/04/2025 15:29

Duke nisur nga ora 10:00 nesër pritet të zhvillohet seanca e radhës, apo thënë qartësisht vazhdimi i seancës konstituive të nisur javë më parë.

Për herë të tetë radhazi deputetët e zgjedhur nga 9 shkurti do të mblidhen nesër sërish, në përpjekje për të arritur konstituimin e kuvendit.

Deputetët e betuar tashmë të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për të tentuar edhe një herë që të arrihet konstitumi i kuvendit, e më pas të vazhdohet me formimin e institucioneve të tjera të vendit.

Për 5 herë radhazi, Lëvizja Vetëvendosje propozoi emrin e njëjtë për kryvekuvendare e që është Albulena Haxhiu.

Haxhiu pavarësisht propozimit të vazhdueshëm nga Vetëvendosje- assesi nuk po arrin që të mbledhë më tepër se 57 vota për.

Kësisoj Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të ketë 61 vota, sa pretendohej se do t’i kenë me shumë siguri.

Mbetet të shihet nëse edhe nesër Vetëvendosje do të propozojë sërish emrin e Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, e nëse nga partitë e tjera politike kanë ndryshuar qëndrim s ai përket votimit.

Derisa nga PDK dhe LDK,AAK votat janë kundër- nga Nisma Socialdemokrate kanë abstenuar.

Vetëvendosje pati vetëm votat e partisë si dhe disa vota nga komunitetet, vota këto të pamjaftueshme për të zgjedhur Kryetarin/en e Kuvendit.

Partitë politike kanë vazhduar të akuzojnë njëra-tjetrën për “dështimin” e mos-konstituimit të kuvendit.

Derisa nga Vetëvendosje është vendosur që të mos ndryshohet emri i Haxhiut dhe të kërkohet ende e drejta për ta zgjedhur, nga partitë e tjera si PDK,LDK dhe AAK kanë bërë të ditur se s’kanë për ta votuar atë.

Madje nga partitë është thënë se ndoshta Vetëvendosje do të duhej të ndryshonte emrin e Haxhiut, që të tentohet më pas të gjendet ndonjë votë në mesin e atyre që janë deklaruar të gatshëm të votojnë për emra të tjerë të Vetëvendosjes.

Kundër kësaj ideje ishte kategorikisht LDK-ja, nga të cilat vazhdimisht është potencuar se do të vazhdojnë të qëndrojnë në opozitë dhe se nuk kanë votë për askënd brenda Vetëvendosjes.

Seancat e kaluara kanë zgjatur krejt pak, ku është bërë propozimi i Haxhiut është hedhur në votim dhe seanca ka përfunduar si e dështuar për shkak të mos arritjes së mbledhjes së 61 votave për Haxhiun.

Kësisoj kryesuesi i seancës, Avni Dehari vazhdimisht ka njoftuar për shtyrje të seancave prej 48 orëve, derisa mbetet të shihet nëse nesër do t’u jepet drita jeshile formimit të institucioneve apo deputetëve do t’u duhet të vazhdojnë të mblidhen vazhdimisht.

Madje në lidhje me këtë situatë së fundi u kërkua edhe ndërhyrja e presidentes Vjosa Osmani- që të gjendet një zgjidhje./Lajmi.net./