“Nëse nuk shkarkohet Jabllanoviq, vërtetohet qeverisja Mustafa-Thaçi-Vuçiq”

Isa Mustafa duhet ta shkarkojë ministrin për Kthim dhe Komunitete sa më shpejt. Nëse s’e bën një gjë të tillë, ai vërteton edhe njëherë trekëndëshin qeverisës Mustafa-Thaçi-Vuçiq, vlerësoi Ilir Deda i Vetëvendosjes.

Lajme

12/01/2015 18:20

Deputeti i VV-së, e konsideron skandaloze vonesën e shkarkimit të ministrit Jabllanoviq.

Ai në emisionin InfoMagazine në KlanKosova ka thënë se Jabllanoviqi ishte dashur të shkarkohej që dje.

“Ai ishte dashur të shkarkohej që dje dhe jo të presim ditë të tjera. Në qoftë se Isa Mustafa nuk e shkarkon atë, atëherë vërtetohet që kjo qeveri është qeveri Mustafa-Thaçi-Vuçiq”.

“Të ekzistojë frikë mos të shkarkohet një ministër që ofendon nëntëdhjetë për qind të popullit në Kosovë, kjo tregon nivelin e seriozitetit të kësaj Qeverie”, tha Deda.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati tha se në partinë e tij jo pse nuk dëshirojnë të shkarkojnë ministrin, por kjo nuk varet nga ta.

Sipas tij, minimumi që është dashur të bëjë Jabllanoviq është të kërkojë falje për deklaratën e tij.

“Kryeministri i mirë merr vendime normale në situata normale. Në një veprim normal ishte dashur që ai të shkarkohet. Por, ne akoma s’e dimë a jemi në një situatë normale, kur një ministër serb bën gabim që të shkarkohet apo t’i thuhet se është ‘hera e fundit'”.

“Unë kam pritur që minimumi të jetë një kërkimfalje nga ana e Jabllanoviqit. Kjo ka mund të jetë minimumi. Ai as s’e di sa shqiptarë janë vrarë as që është lodhur ta dijë…”.

Aleksandër Jabllanoviq ofendoi para disa ditësh protestuesit shqiptarë në Gjakovë, të cilët nuk i lejonin serbët të vizitonin Kishën ortodokse në këtë qytet me rastin e Krishlindjes ortodokse, duke i quajtur ata “egërsira”.