Nëse kaloni nga Prishtina Mall, Policia ka një njoftim të rëndësishëm për ju – sot dhe nesër pritet trafik i ngarkuar në magjistralen Prishtinë-Ferizaj shkaku i një koncerti
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 dhe 25 korrik do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut për shkak të një koncerti që do të mbahet në Prishtina Mall. Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 24 dhe 25 korrik do të zbatohen masa të veçanta për menaxhimin e trafikut për shkak të një koncerti që do të mbahet në Prishtina Mall.
Sipas njoftimit, masat do të jenë në fuqi nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit dhe shmangies së kolonave në trafik, transmeton lajmi.net.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë në relacionin Prishtinë–Shkup dhe anasjelltas që gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë Autostradën “Arbën Xhaferi”, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën në rrugë.
Për pjesëmarrësit në koncert janë organizuar autobusë falas të Trafikut Urban, të cilët do të qarkullojnë në relacionin Prishtinë–Prishtina Mall dhe kthim.
Ndërkohë, për automjetet që lëvizin nga Prishtina drejt Prishtina Mall, pas rrethrrotullimit të Marigonës do të vendosen kona në shiritin e majtë të qarkullimit, i cili do të rezervohet për vizitorët e koncertit.
Edhe për automjetet që vijnë nga drejtimi i Ferizajt do të ketë organizim të veçantë të trafikut. Sipas Policisë, në këtë segment do të vendosen kona në shiritin e djathtë, ndërsa hyrja për vizitorët e koncertit do të bëhet përmes rrugicës në anën e djathtë, para se të arrihet te rrethrrotullimi i Prishtina Mall.
Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar ata të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalizimin e përkohshëm rrugor, në mënyrë që të garantohet siguria dhe mbarëvajtja e trafikut gjatë zhvillimit të aktivitetit./lajmi.net/