“Nëse dënohen ish-krerët e UÇK-së do të digjet krejt Shqiptaria, ata që do të festojnë do të digjen në atë zjarr”

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj tha se beson se do të ketë “eskalim” të situatës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut nëse Gjykata Speciale do t’i dënojë ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator. Haradinaj tha në një lidhje direkte në Kosova Live se “jo Kosova, por krejt Shqiptaria ka me u…

Lajme

20/08/2026 13:34

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj tha se beson se do të ketë “eskalim” të situatës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoninë e Veriut nëse Gjykata Speciale do t’i dënojë ish-krerët e UÇK-së më 16 shtator.

Haradinaj tha në një lidhje direkte në Kosova Live se “jo Kosova, por krejt Shqiptaria ka me u kallë flakë”.

Ai tha se ka parë disa paralajmërime se disa në Kosovë do ta festonin një aktgjykim dënues.

“Anipse disa po mendojnë edhe me festu, por ata që do të festojnë ato ditë, besoj që do të kallen në qatë zjarr”, tha ai.

Haradinaj tha se “kemi individë që po thonë do të vijmë me festu nëse merret një aktvendim dënues”.

“Por unë po them, nëse merret ai vendim, do të rrotullohet… Unë mendoj që do të eskalojë çështja shumë keq dhe do të digjet flakë ky vend, do të digjet flakë Maqedonia, do të digjet flakë Shqiptaria”, tha ai.

Haradinaj tha se gjyqtarët e trupit gjykues në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit “nuk mund të marrin vendime të cilat e trazojnë një vend”.