Nënshkruhet një marrëveshje mes komunës së Prishtinës dhe “Pastrimit” për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore
Sot është zhvilluar takimi mes përfaqësuesve të sindikatës së punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi” dhe komunës së Prishtinës. Përkundër që s’pati marrëveshje finale, për një nga kërkesat kryesore të sindikatës u arrit një marrëveshje, shkruan lajmi.net Në komunikatën e lëshuar nga komuna thuhet se dy palët kanë nënshkruar kontratën për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore, në vlerë…

Lajme
Sot është zhvilluar takimi mes përfaqësuesve të sindikatës së punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi” dhe komunës së Prishtinës.
Përkundër që s’pati marrëveshje finale, për një nga kërkesat kryesore të sindikatës u arrit një marrëveshje, shkruan lajmi.net
Në komunikatën e lëshuar nga komuna thuhet se dy palët kanë nënshkruar kontratën për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore, në vlerë prej 1.5 milionë euro.
Komunikata e plotë:
Sot është mbajtur një takim zyrtar ndërmjet përfaqësuesve të lartë të Kryeqytetit dhe përfaqësuesve të Sindikatës së Punëtorëve të Ndërmarrjes Rajonale “Pastrimi”, ku janë diskutuar kërkesat e parashtruara nga sindikata.
Njëra ndër kërkesat kryesore – kontrata për menaxhimin e mbeturinave sipërfaqësore, në vlerë prej 1.5 milionë euro, tashmë është nënshkruar nga të dyja palët.
Sa i përket kërkesave të tjera, përfshirë pagesën retroaktive për pesë muaj dhe nënshkrimin e kontratës bazike për shërbime të rregullta të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës, është propozuar që të shqyrtohen mundësitë për zgjidhje brenda kompetencave ekzekutive dhe legjislative të Kryeqytetit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Lidhur me zgjidhjen e statusit të ndërmarrjes, përfaqësuesit e ndërmarrjes janë njoftuar se është zhvilluar një takim i thirrur nga Kryetari i Kryeqytetit, z. Përparim Rama, me kryetarët e komunave tjera aksionare, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të inicuar menjëherë procedurat e decentralizimit të ndërmarrjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Kryeqyteti mbetet i përkushtuar për të trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi të gjitha çështjet që ndërlidhen me funksionimin e ndërmarrjes dhe mirëqenien e punonjësve të saj. Prandaj, konsiderojmë se grumbullimi i punëtorëve të KRM “Pastrimi” para objektit të Komunës është i panevojshëm.
Ndërkohë, grumbullimi i mbeturinave në gjithë territorin e Kryeqytetit, përfshirë edhe fshatrat përreth, po vazhdon të realizohet 24/7 përmes operatorëve të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, si masë e menjëhershme pas situatës emergjente të krijuar së fundmi./lajmi.net/