Nenad Rashiq nënkryetar i kuvendit nga komunitetit serb, Basha “Kuvendi u konsituua”

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Dimal Basha njoftoi se me votat e mjaftueshme me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, Nenad Rashiq është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës. Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej deputetëve të komuniteteve…

Lajme

10/10/2025 12:02

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur sot nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

Dimal Basha njoftoi se me votat e mjaftueshme me 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, Nenad Rashiq është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.

Përveç votave nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë joserbe, ai siguroi edhe votat e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan, ndërsa Lista Serbe votoi kundër.

Anipse Lista Serbe refuzoi ta propozoi, ai u propozua përmes shortit, transmeton lajmi.net.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka kërkuar që votimi për nënkryetarin serb të Kuvendit të vazhdojë më short, duke e kritikuar përfaqësuesin e deputetëve serb, Igor Simiqin e Listës Serbe, se nuk pranoi ta propozonte Nenad Rashiqin.

Rashiqi vjen nga partia serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

“Meqë po refuzohet të propozohet kandidati i mbetur, i cili po ashtu përfaqëson komunitetin serb, që është në harmoni të plotë me nenin 67 të Kushtetutës, atëherë në bazë të Rregullores së Punës së Kuvendit, jam i detyruar të vazhdoj me procedurës e shortit si mekanizëm zhbllokues”, tha Basha.

Simiq nga Lista Serbe tha se nëse do ta propozonte dike tjetër, do të ishte “shkelje kushtetuese”.

“Ne mund të propozojmë sërish dikë nga komuniteti serb, por vetëm këta kandidatë [të propozuar më parë] kanë të drejtë në bazë, të Kushtetutës dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit. Gjithçka tjetër do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe e Rregullores. Kjo pozitë i takon vetëm grupit të Listës Serbe”, tha ai./Lajmi.net/