Nëna vdiq duke pritur kufomën e djalit të saj 16 vjeç, të vrarë gjatë luftës
Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore të enjten u bë dorëzimi i 28 trupave të pajetë, të vrarë nga forcat ushtarako-policore serbe gjatë luftës në Kosovë, të gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi.
Lajme
Mbetjet mortore të personave të vrarë që sot iu janë dorëzuan familjarëve të tyre, iu përkasin të zhdukurve nga fshati Rezallë i komunës së Skenderajt, të cilët pas vrasjes policia dhe ushtria serbe i kishte transportuar në Rashkë, me qëllim humbjen e gjurmëve tqë krimeve barbare që regjimi serb ushtronte ndaj civilëve shqiptarë.
Familjarët u shprehen se kishin humbur shpresën se një ditë do t’i gjenin trupat e pajetë të të afërmve të tyre, ndërsa sot u shprehen se do të ndihen më të lehtësuar pasi e dinë se ku do t’ju pushojnë eshtrat.
Bedrie Uka e cila sot pranoi trupat e pajetë të babit dhe vllahut të saj, tregon kur forcat paramilitare serbe ja kishin marrë vllahun, Përparimin, që asokohe ishte vetëm 16 vjeç.
Uka shprehet së nëna e saj, tashmë e ndier, kishte humbur shpresën se do t’i kthehet trupi i djalit të saj, të cilin forcat serbe ia kishin marrë nga duart.
“Ajo nuk ka mund të qëndroj, ajo nuk ka shpresuar kurrë. Ishalla e kalojmë këtë, e bëjmë varrimin e tyre, se boll që 16 vjet kemi pritur, ka kaluar kohë e gjatë”, thotë Bedrie Uka nga fshati Morinë, por që tragjedia u kishte ndodhur në Rezallë.
Pa shpresa se do t’i gjenin trupat e familjarëve të tyre, u shprehen edhe anëtarë të tjerë që sot kishin ardhur në ceremoninë e dorëzimit të mbetjeve mortore.
Drejtori, i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se javën e ardhshme do të bëhet edhe dorëzimi i disa mbetjeve të tjera mortore, që iu përkasin të zhdukurve nga komuna e Drenasit.
Ai ka thënë se vonesat kanë ndodhur pasi kanë pritur të gjitha analizat e ADN-së.
“Zgjatja e kohës së identifikimit është se kemi pritur të gjitha analizat e ADN-së për tu bashkuar pjesët e trupit. Ju e dini fare mirë se mbetjet mortore kanë qenë të shkapërderdhur në terrene, me ekskavator, e janë lëvizur dy apo tre herë gjatë tërë kohës. 28 raste do t’i dorëzojmë komunës së Skenderajt dhe raste tjera do t’i dorëzojmë javën e ardhshme komunës së Drenasit”.
Karakteristikë është se 53 raste të gjetura në Rudnicë, 52 janë të identifikuar me ndihmën e familjarëve, kurse një rast nuk është identifikuar dhe dyshohet se bëhet fjalë për një mashkull të moshës së shtyrë, i cili ka mundur të jetë një mysafir apo kalimtar rasti që e kanë strehuar banorët.
Tarja Formisto nga EULEX-i, ka thënë me këtë rast se ACMP do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë dhe do t’i përkrah gjetjen dhe identifikimin e mbetjeve mortore të të zhdukurve, siç ka bërë deri tani.
E pyetur se a duhet bërë më shumë për presionin Serbisë, lidhur me hapjen e lokacioneve tjera të dyshuara, ajo ka thënë se është çështje politike, mes Kosovës dhe Serbisë.
Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e familjeve në Rezallë dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj. Nga masakra e Rezallës, vetëm tre shpëtuan të gjallë. /KosovaPress/