Nëna Kumrije “digjet” në diell duke pritur rikonstruktimin e rastit të djalit të saj, as sot nuk u soll vetura ku ndodhi rasti
Kumrije Temaj është nëna e cila po vazhdon të kërkojë drejtësi për vdekjen e djalit të saj, Jeton Temaj. I pandehuri Eraj Temaj akuzohet për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit kishte vdekur 22 vjeçari, Jeton Temaj. Nëna e viktimës, Kumrija vazhdimisht ka kërkuar vënie të drejtësisë në vend në lidhje me…

Lajme
Kumrije Temaj është nëna e cila po vazhdon të kërkojë drejtësi për vdekjen e djalit të saj, Jeton Temaj.
I pandehuri Eraj Temaj akuzohet për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit kishte vdekur 22 vjeçari, Jeton Temaj.
Nëna e viktimës, Kumrija vazhdimisht ka kërkuar vënie të drejtësisë në vend në lidhje me këtë rast e cila shpesh herë ka thënë se djalin e saj e vranë. Më 27 maj 2022 ajo kuptoi se djali i saj kishte ndërruar jetë në rrethana të dyshimtë, ndërsa në momentin kur është kthyer rezultati i autopsisë së tij ishte theksuar se “Vdekja e të ndjerit është vdekje e dhunshme dhe ka ardhë si rrjedhojë e gjakderdhjes në mes të cipave mbështjellëse të trurit të madh dhe në indin trunor”.
Nëna Kumrie është e bindur se të birin e saj e vranë. Edhe sot ajo është përballur me drejtësinë, në emër të birit të saj.
Sot është duke u bërë rikonstruktimi i rastit, ku në vendin e ngjarjes janë Njësitë Policore, Prokurorët dhe zyrtarë të tjerë.
Më 18 qershor rikonstruktimi kishte dështuar për shkak se nuk ishte sjellë vetura që po kërkohej. Por pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme vetura e përfshirë në këtë rast nuk është sjellur as sot.
Nëna Kumrije pati kërkuar me ngulm që të sillet vetura, e që të bëhet rikonstruktimi i rastit me të.
Lajmi.net po përcjell sërish rastin në fjalë edhe pse sot mediat dhe vetë Nëna Kumrije nuk janë lënë të afrohen saktësisht ku po bëhet rikonstruktimi.
Ajo thotë se i pandehuri e ka fshehur veturën “që e ka vrarë djalin e saj”.
Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Eraj Temaj, po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.
Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit./Lajmi.net/
