Nën kërcënimin e armës grabitet një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, arrestohet një person
Sot gjatë ditës është grabitur një institucion mikrofinanciar në Prishtinë. Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. Ahmeti ka thënë se nga informacionet e para dyshohet se dy persona të maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash. “Sot rreth orës 12:30 është raportuar për…
Lajme
Sot gjatë ditës është grabitur një institucion mikrofinanciar në Prishtinë.
Rastin për lajmi.net, e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se nga informacionet e para dyshohet se dy persona të maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash.
“Sot rreth orës 12:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash”, ka thënë Ahmeti.
Derisa policia po kryen veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Ndryshe Ahmeti ka bërë të ditur se si rezultat i reagimit të shpejtë të zyrtarëve policor është arritur që një person të arrestohet vetëm pak minuta pas raportimit të rastit.
“Reagimi i shpejtë i zyrtarëve nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ka rezultuar me arrestimin e njërit prej personave të dyshuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit. Personi i dyshuar aktualisht po intervistohet, përderisa hetuesit janë në kërkim të personit të dytë, të cilin tashmë e kanë identifikuar”, thotë Ahmeti.
Po ashtu personat e njëjtë dyshohet të jenë të përfshirë në grabitjen e armatosur që ndodhi me datën 17 janar 2025, në rrugën “Agim Ramadani”në Prishtinë. /Lajmi.net/