Negociatat për MSA nisin më 18 tetor
Negociatat për MSA nisin me vizitën e Stefan Fyle në Kosovë. Kryeministri Thaçi thotë se MSA dhe liberalizimi i vizave janë prioritetet e Qeverisë. Ai porositi akterët e përfshirë në këtë proces që të mos shpërqendrohen nga fushata zgjedhore.
Lajme
Më 18 tetor fillojnë zyrtarisht negociatat e Kosovës me Bashkimin Europian për Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit.
Për të nisur këto negociata atë ditë në Kosovë do të qëndrojë Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, Stefan Fyle.
Kryeministri Hashim Thaçi i porositi sot ministrat e përfshirë në këtë proces dhe akterët e tjerë se këto janë prioritetet e tyre dhe kërkoi nga ta që të mos shpërqendrohen nga fushata zgjedhore.
“Ju keni nderin dhe përgjegjësinë të bartni mbi supe dy procese të rëndësishme, atë të liberalizimit të vizave dhe nënshkrimit të MSA. Për ju kam vetëm një mesazh, pra të ruajmë integritetin e këtyre dy proceseve.”
“Me vizitën e Komisionarit për Zgjerim, më 18 tetor, edhe formalisht fillon negocimi i MSA’së, ndërkohë që brenda pak javësh presim misione tjera vlerësuese për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave”, tha Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
“Me asnjë çmim dhe me asnjë kusht nuk do të lejojmë që fushata zgjedhore, në të cilën kemi hyrë dje, të ndikojë në uljen e përkushtimit dhe angazhimit për këto dy procese jetike për qytetarët e Kosovës.”
“Detyra juaj është që sigurohemi se secili zyrtar që ka detyrime në këtë proces të jetë i angazhuar maksimalisht, e ju me angazhimin tuaj të jeni shembull për të gjithë.”
Ndërkaq Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, tha se do të duhet paraprakisht të vendosin se me çfarë versioni do të shkohet në këto negociata për çështjen e tregut të lirë.
“Kemi një agjendë shumë dinamike, negociatat fillojnë zyrtarisht me 18 tetor me vizitën e Komisionerit Fyle”.
“Unë rekomandoj negociatorët që Zyra Ligjore e Kryeministrit bashkë me agjencitë e përfshira dhe Zyrën e Bashkimit Europian, të takohen urgjentisht dhe bashkërisht të dakordojmë me çfarë versioni do të shkojmë, me vetëm pjesën me të cilën bëhet mbrojtja e produkteve vendore apo një rishikim të ligjit në tërësi, mirëpo kjo çështje duhet të përmbyllet para fillimit zyrtar të negociatave.”
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë është negociatori kryesor për çështje tregtare. Ai tha se janë bërë tri versione të analizës për ndikimin e tregtisë së lirë me Bashkimin Europian.