Në valët e lirisë

Shkruan: Musli Krasniqi I gjithë vendi tashmë ishte kthyer në vatër lufte. Beteja të panumërta përcillnin njërën ditë që ikte dhe po me kaq intensitet shoqëronin ditën që vinte. Si nga zonat kryesore të luftës, ashtu edhe nga rajonet që tashmë i kishte kapluar zjarri, vinin informata të shumta, me burime të ndryshme. Opinioni vendor…

Opinion

04/01/2024 13:29

Shkruan: Musli Krasniqi

I gjithë vendi tashmë ishte kthyer në vatër lufte. Beteja të panumërta përcillnin njërën ditë që ikte dhe po me kaq intensitet shoqëronin ditën që vinte. Si nga zonat kryesore të luftës, ashtu edhe nga rajonet që tashmë i kishte kapluar zjarri, vinin informata të shumta, me burime të ndryshme.

Opinioni vendor informohej kryesisht nëpërmjet gazetave ditore, javore e dyjavore, me qendër në Prishtinë, me gazetarë të përkushtuar e guximtarë që brenda kushteve që ofronte terreni sillnin nga zonat e luftës informacione e pamje mbi krimet çnjerëzore që forcat serbe bënin mbi popullatën civile shqiptare, por edhe për rezistencën titanike të djemve e vajzave që asaj pranvere në ardhje kishin vendosur t’i jepnin emër.

Lajmi shpërndahej edhe nëpërmjet disa radiove kryesisht ndërkombëtare, me edicion në gjuhën shqipe, por edhe radiove vendore.

Sidoqoftë programi dy orësh i TVSH-së vazhdonte të mbetej lajmëtari kryesor për zhvillimet në frontet e luftës dhe për gjithë situatën në Kosovë e përreth saj.

Propaganda armike, në anën tjetër, nëpërmjet instrumenteve të shumta që kishte në përdorim përpiqej ta deformonte realitetin duke plasuar gënjeshtra mbi luftën dhe masakrat që vet shteti serb në mënyrë të organizuar kryente gjithandej Kosovës.

Prandaj, rritja e intensitetit të luftës dhe hyrja në fazën vendimtare të saj, por edhe domosdoshmëria për të dhënë informacione të sakta, kishte bërë të patjetërsueshme nevojën që zëri i luftës të përçohej në mënyrë autentike.

Në Grashticën e Epërme të Prishtinës, i riu Fahri Krasniqi, edhe pse i kufizuar fizikisht si pasojë e një aksidenti në fëmijëri, kishte vënë në funksion një “minihidrocentral” nëpërmjet ujit që rridhte në përroin poshtë shtëpisë dhe nga energjia e prodhuar kishte vënë në përdorim transistorin e tij. Konfiguracioni mundësonte kapjen e valëve të ndryshme radiofonike, prandaj edhe burimet e informacionit lidhur me zhvillimet në Kosovë dhe në skenën ndërkombëtare, për të dhe të afërmit e tij ishin më të shumta.

Por këtë mundësi nuk e kishin banorët e lagjes së poshtme. E gjendur në luginën e lumit Prishtevka, nën vëzhgimin e dy shpatijeve të malit dhe e penguar nga një vargmal gjarpëror në hyrje, lagja Ugri ishte e privuar nga mundësitë për t’u shërbyer mjaftueshëm me valë radioje e aq më pak televizioni.

Si fëmijë isha dëshmitar i përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite të babës për të siguruar valë që në ekranin e televizorit do të sillnin programin e Radiotelevizionit Shqiptar. Qoshet e oborrit ishin të mbushura me antena të ndryshme, shumë prej tyre të modifikuara, por të lëna jashtë përdorimit si pasojë e mungesës së rezultateve. Madje, kujtoj rastin kur baba dhe xhaxhallarët kishin zgjatur një kabllo afër një kilometër të gjatë, dru më dru e lis më lis, për ta vendosur antenën maje malit, me synimin për t’i kapur valët aq të dëshiruara.

Edhe kjo përpjekje kishte shkuar kot.

Krahas pengesave natyrore edhe Serbia kishte vënë pengues për të pamundësuar depërtimin e valëve të radios e të televizionit shqiptar.

Atij 4 janari të vitit 1999 zhurmuesit e Serbisë nuk i bënë ballë jehonës së zërit të lirisë, ndërsa malet e larta u bënë aleat i kësaj jehone. Atë zë nuk e shuan dot as ofensivat tokësore e as raketat e MIG-ëve nga qielli. Nga çdo front lufte, nga çdo fushëbetejë, nga çdo aksion, lajmi u përhap në gjithë atdheun. Arriti edhe në çdo shtëpi të Grashticës, në çdo aparat radioje që në funksion vihej me ndihmën e baterive apo minihidrocentralit të Fahriut.

Tutje deri në qendrat ndërkombëtare të vendosjes.

“Ju flet Kosova e Lirë”.

Kjo ëndërr brezash e mbërthyer në këtë frazë epike kumboi luginës dhe me jehonën e maleve u shtri e shumëfishtë tutje.

Radio “Kosova e Lirë” dhe Agjencia e lajmeve “Kosovapress” u bënë komponenta e tretë e luftës çlirimtare që krahas demaskimit të propagandës antishqiptare të Serbisë, me veprimtarinë e tyre mediale dhe plasimin e informacioneve burimore nga terreni, motivuan luftëtarët në fronte, shpërndanë kushtrimin për luftë dhe përçuan në çdo skaj lajtmotivin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si kauzë e popullit shqiptar ndër dekada.