Në të njëjtën ditë, Gjykata Speciale liron me kusht Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Haxhi Shalën

Derisa zhvillime të njëpasnjëshme pati dje dhe sot në Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në anën tjetër dikush iu kthye atdheut. Bëhet fjalë për Haxhi Shalën, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun. Si fillim u raportua se Haxhi Shala është liruar dhe tanimë ka…

Lajme

10/02/2026 15:00

Derisa zhvillime të njëpasnjëshme pati dje dhe sot në Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në anën tjetër dikush iu kthye atdheut.

Bëhet fjalë për Haxhi Shalën, Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun.

Si fillim u raportua se Haxhi Shala është liruar dhe tanimë ka arritur në Kosovë, derisa tanimë u konfirmua edhe lirimi nga paraburgimi i Smakjt dhe Fadil Fazliut.

Gjykata Speciale mori vendim që t’i lirojë nga paraburgimi Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun.

Kjo është konfirmuar madje edhe nga Specialja, ku u tha se janë liruar përkohësisht në Kosovë me kushte, shkruan lajmi.net.

“Sot më, 10.02.2026, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht në Kosovë, në vijim të rishikimit të fundit të paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm i ngarkuar me gjykimin e çështjes Prokurorja e Specializuar k. Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit (“Çështja gjyqësore 12”).

“Megjithëse Gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë se lirohen, si z. Smakaj ashtu edhe z. Fazliu mund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe”.

Ndër faktorë të tjerë, thuhet në tej në njoftim se gjykatësi mori parasysh se koha që Smakaj dhe Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë.

“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet. Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që z. Fazliu dhe z. Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen. Z. Smakaj dhe z. Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë konfirmuar lirimin me kushte, siç thuhet në komunikatën për media, të ish-komandantit të UÇK-së nga Gjykata Speciale, Haxhi Shala.

Aty thuhet se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, më 2 shkurt vendosi të modifikojë dënimin e komandant “Topit”, për të mundësuar lirimin e tij me kushtet e përcaktuara në vendimin e saj.

Sipas vendimit, kushtet e lirimit do të vazhdojnë të zbatohen për pjesën e mbetur të dënimit prej tre vitesh. Haxhi Shala është liruar dhe është kthyer në Kosovë më 10 shkurt 2026.

Në arsyetimin e saj, Trendafilova ka marrë parasysh disa faktorë, përfshirë shenjat e rehabilitimit të treguara nga Shala, si dhe një letër që ai i kishte dërguar asaj, në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kenë pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij.

Po ashtu, janë vlerësuar marrëdhëniet e tij pozitive familjare, mjedisi i qëndrueshëm i jetesës dhe rrjeti i gjerë shoqëror, të cilat, sipas vendimit, tregojnë një perspektivë të arsyeshme rehabilitimi.

Kryetarja e DHSK-së ka theksuar se, ndonëse veprat penale për të cilat Shala është shpallur fajtor janë të rënda, letra e tij është shkruar me nismë personale, pa ndihmë ligjore dhe pas një periudhe reflektimi.

“Kryetarja Trendafilova mori parasysh se z. Shala kishte treguar disa shenja rehabilitimi dhe se i kishte dërguar asaj një letër në të cilën shprehte keqardhje ndaj të gjithë atyre që mund të kishin pësuar dëm si pasojë e veprimeve të tij. Ajo mbajti parasysh gjithashtu marrëdhëniet familjare pozitive të z. Shala, mjedisin e qëndrueshëm të jetesës dhe rrjetin e gjerë shoqëror, që tregojnë perspektivë të arsyeshme rehabilitimi. Kryetarja gjykoi se, ndonëse veprat penale për të cilat ai u shpall fajtor janë të rënda, z. Shala e kishte shkruar letrën me nismën e vet dhe pa ndihmë ligjore, pas një periudhe reflektimi. Ajo konstatoi se letra e tij ishte shenjë e distancimit të sinqertë nga veprat penale për të cilat u shpall fajtor”, thuhet në komunikatë.

Në vendim theksohet gjithashtu se procedurat për uljen, modifikimin apo ndryshimin e dënimit, të parashikuara në nenin 51(2) të Ligjit për DHSK-në, janë procedura individuale dhe se vuajtja e dy të tretave të dënimit nuk përbën të drejtë automatike për ulje apo ndryshim të dënimit, por vetëm mundëson shqyrtimin e një mundësie të tillë.

Vendimi i plotë është publikuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës./Lajmi.net/