Në Suedi u mbajt Festivali i Fëmijëve “Këngë, valle dhe poezi shqipe”

Në organizimin e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, në kuadër të së cilit veprojnë më shumë se 40 shoqata shqiptare të shtrira në tërë vendin, në Boros u mbajt Festivali i parë për fëmijë.

Lajme

26/04/2015 18:14

Ky manifestim u zhvillua në ambientet e shoqatës “Dardania” të Borosit, e cila njëherësh ishte edhe nikoqire e amatorëve të vegjël mërgimtarë.

Festivalin e shpalli të hapur Ahmet Bella, sekretar organizativ-ekonomik i Unionit, kurse atë e përshëndeti edhe mësuesi veteran dhe shkrimtari Sadulla Zendeli-Daja.

Gjatë programit të festivalit, me këngë, valle dhe me poezi shqipe garuan 14 fëmijë dhe grupe muzikore, të ardhur nga shoqatat anëtare të Unionit si dhe nga shkollat suedeze, në të cilat zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën amtare shqipe.

Paraqitja e tyre ishte me emocione dhe në ambientet ku zhvillohej festivali çdo gjë frymonte shqip. Fëmijët, nga mosha 5 deri në moshën 15 vjeçare, u përpoqën të tregojnë aftësitë dhe shkathtësitë e tyre si në vallëzim dhe interpetim të këngëve shqipe ashtu edhe në përpjekje për të recituar poezitë që si temë kishin atdheun, trimat legjendarë por edhe familjet në Kosovë.

Në mesin e konkurruesve, fëmijët u paraqitën edhe me vjershat që kishin shkruar vet, siç ishte rasti me Endoliza Ruhanin, e cila një vjerësh të bukur ia kishte kushtuar gjyshes së vet diku në Kosovë.

U prezantuan edhe talente të vërtet, siç ishte paraqitja e vogëlushes Sara Xhemajli, paraqitja e së cilës la mbresa të thella.

Juria e Festivalit, në përbërje Ramadan Reshitaj, kryetar, Sadulla Zendeli-Daja, Ylber Haziraj e Hajdar Osaj, anëtarë, i ndanë të tri shpërblimet e Festivalit. Shpërblimin e parë ia ndanë sara Xhemajlit, e cila përmrekulli recitoi vjershën “Lule kuqe” si dhe në mënyrë shumë profesionale këndoi këngën “Nëna ime”. Shpërblimin e dytë e mori grupi I vajzave me çiftelia nga shoqata “Liria” e Vekshjes, kurse shpërblimin e tretë e mori grupi teatral i shoqatës “Dardania” për pjesën e luajtur “Kësulëkuqja dhe gjyshja”.

Organizatorët, të gjithë pjesëmarrësit nderuan me Mirënjohejt e Festivalit, kurse veprimtari Sadulla Zendeli-Daja të gjithë fëmijëve ua ndau nga një libër për fëmijë.

Nikoqirët e Festvalit të Parë, të gjithë garuesve por edhe pjesëmarrësve të tjerë iu shtruan drekë.

Festivali i Fëmijëve është festivali i tretë i Unionit, pas Festivalit të Poezisë dhe të krijimtarisë Muzikore që ka karakter për tërë diasporën shqiptare si dhe Festivalit të Folklorit Shqiptar, që janë manifestime tradicionale, transmeton KosovaPress.