Në shkollat e Mitrovicës ka vazhduar zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës së janarit

Në shumë shkolla të komunës së Mitrovicës sipas dinamikës së paraparë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Drejtorisë Komunale të Arsimit, sot ka vazhduar zëvendësimi i orëve të humbura si pasojë e grevës së personelit arsimor.

Lajme

09/03/2019 19:12

Drejtori i Arsimit, Iset Beka, bën të ditur se në shumicën e shkollave të Mitrovicës me përjashtim të katër shkollave, kanë mbajtur mësimin sipas planit dhe programit të përcaktuar nga drejtorët dhe personelit në këto shkolla.

“Pas vendimit të gjykatës çdo ditë e humbur është arsyetim i kotë dhe shkon në dëm të nxënësve”, tha ndër të tjerash drejtori i Arsimit, Iset Beka.

Beka theksoi se në ditët në vijim do të mbaj një mbledhje me kryesitë e nxënësve të këtyre shkollave dhe Këshillat drejtuese, në mënyrë që t’i udhëzojnë dhe këshillojnë se pasojat sidomos për nxënësit e klasave të para, të nënta dhe të dymbëdhjeta janë të pariparueshme.