Në shenjë solidariteti me punëtoret teknike të Kuvendit, Kolektivi Feminist paralajmëron protestë
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar protestë për të premten në ora 13:00 në shenjë solidariteti me punëtoret teknike të Kuvendit të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë. Sipas njoftimit të këshuar nga kjo organizatë punëtoret e pastrimit teknik të Kuvendit të Kosovës që nga dje kanë hyrë në grevë duke kërkuar…
Lajme
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar protestë për të premten në ora 13:00 në shenjë solidariteti me punëtoret teknike të Kuvendit të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë.
Sipas njoftimit të këshuar nga kjo organizatë punëtoret e pastrimit teknik të Kuvendit të Kosovës që nga dje kanë hyrë në grevë duke kërkuar rroga të cilat ua sigurojnë minimumin jetik e trajtim të dinjitetshëm në punë.
“Aktualisht ato marrin veç 275 euro në muaj në kushte pune denigruese dhe çnjerëzore. Të organizuara mbi të drejtën e tyre për punë dhe jetë të dinjitetshme, ato po kërkojnë të mos trajtohen si mall i cili ofrohet nga bizneset për shtetin, ashtu siç i ka definuar shteti përmes partneritetit publiko-privat por si njerëz prej mishi e gjaku e punëtore të cilat e mundësojnë punën e këtij institucioni”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se teksa punëtoret janë duke e zhvilluar rezistencën e tyre haptazi në oborrin e Kuvendit, Kolektivi ka vendosur t’iu bashkohet e ta mbështesin kauzën e tyre për trajtim njerëzor në vendin e punës.
“Të qëndruarit krah tyre në këto kushte të skajshme shtypjeje e heshtimi të çdo punëtoreje e punëtori që ngreh krye ndaj shtypjes që i bëhet, është detyra e secilës e secilit prej nesh. Ne nuk mund të lejojmë që edhe një rezistencë të shuhet sepse skajohet qëllimshëm nga vëmendja publike. Përderisa shteti po ua mbanë krahun kapitalistëve e po e mirëmbanë shtypjen e punëtoreve, ne rreshtohemi krah grevistet dhe kërkojmë plotësimin e kërkesave të tyre. Kërkesat e tyre për paga dhe trajtim të dinjitetshme duhet të na lëvizin të gjitha/ë ne dhe të dalim në shesh e t’i kërkojmë shtetit që t’i trajtojë punëtoret dinjitetshëm e jo si mall që blihet lirë. Greva e tyre është moment i rëndësishëm i artikulimit politik të gjendjes së klasës punëtore dhe kundërshtimit të zhvleftësimit në rritje të statusit të punëtores/it”, thuhet tutje.