Të Infektuar: 41.299

Të Shëruar: 26.453

Të Vdekur: 1.062

Në Prishtinë 1400 familje me asistencë sociale, komuna me projekt për punësimin e tyre

8:59 | 7 Nentor 2020

Drejtori i Mirëqenies Sociale në komunë e Prishtinës, Dren Kukaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në këtë komunë aktualisht janë 1 400 familje me asistencë sociale.

Madje, ai tha se për vitin e ardhshëm kanë katërfishin e buxhetit sa i përket subvencioneve për familjet me asistencë sociale.

“Në komunën e Prishtinës aktualisht i kemi rreth 1 400 familje me asistencë sociale që është numër më i vogël krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa sa i përket mjeteve që janë ndarë për këtë kategori janë ato që vijnë gjithmonë nga qeveria e Kosovës për shkak se kjo është skemë që menaxhohet nga Qeveria e Kosovës”.

“Ne vetëm bëjmë procedimin e dokumenteve, mirëpo sa i përket kësaj kategorie për vitin e ardhshëm ne si komunë e Prishtinës për të gjitha kategoritë kemi pothuajse katërfishim të ngritjes buxhetore sa i përket subvencioneve dhe shpresojmë se prej kësaj ngritje buxhetore duhet të jemi të gatshëm t’i lansojmë disa programe inovative sa i përket kategorisë së familjeve me asistencë sociale”.

Ndërsa, Kukaj theksoi se me përhapjen e virusit, kanë ndihmuar 3 000 familje me pako ushqimore dhe higjienike.

Ai potencoi se janë të gatshëm të ndihmojnë këto familje edhe në muajt në vazhdim.

“Gjatë periudhës së mbylljes kur është paraqitur pandemia ne kemi përqafuar një politikë ku secila familje që është paraqitur në komunën e Prishtinës qoftë fizikisht në hapësirat e zyrave tona ne e kemi pajisur me një pako ushqimore dhe higjienike. Numri i tyre ka qenë 3 000 familje që kanë marrë asistencë me pako ushqimore prej Komunës së Prishtinës dhe tash vetëm në muajin e kaluar kemi bërë shpërndarjen e pakove ushqimore për secilën familje e cila është në skemë të asistencës sociale në komunën e Prishtinës”.

“Në rast se paraqitet nevoja për pako ushqimore, ne do të jemi të gatshëm të ofrojmë pako ushqimore edhe në muajt në vazhdim. Gjendja ekonomike te këto familje ka ndikuar negativisht sepse ndjehet më së shumti prej familjeve që kanë gjendje më të rënduar ekonomike. ata janë që po e ndjejnë më së shumti këtë krizë dhe ne jemi munduar që t’iu dalim në ndihmë përgjatë këtij viti dhe po shpresojmë që edhe vitin tjetër ta kemi të njëjtën gatishmëri. Ne kemi pothuajse të njëjtin plan të veprimit, mirëpo sesi do të zhvillohet situata nuk është që varet prej neve si komunë e Prishtinës”.

Kukaj foli edhe për projektet që ka paraparë për familjet me asistencë sociale, e cila ka për qëllim punësimin e personave që vijnë nga këto kategori.

Sipas tij, do të jetë një program që do të merret ekskluzivisht me shëndetin mendor dhe fizik të këtyre familjeve.

“Ne për kategorinë e familjeve me asistencë sociale kemi paraparë disa projekte për vitin tjetër që përveç projektit të banimit social, ne do të fillojmë këtë vit që ta bëjmë një studim të thellë të varfërisë në qytet ku së bashku me departamentin e Psikologjisë do të bëjmë një anketim të gjitha familjeve që janë me asistencë sociale që në detaje ta njohim gjendjen e tyre dhe në bazë të kësaj kemi paraparë që t’i lansojmë vitin tjetër disa programe që për qëllim kanë ngritjen e kapaciteteve të punësimit të personave që vijnë nga kjo kategori që poashtu fokus të veçantë të të gjitha këtyre programeve janë fëmijët e këtyre familjeve ku do të mundohemi që me disa programe që të avancojmë gjendjen e tyre përbrenda sistemit arsimor që t’i ndihmojmë të jenë sa më të arsimuar edhe pse ka ngecje të mëdha në këtë drejtim”.

“Gjithashtu do ta kemi një program që do të merret ekskluzivisht me shëndetin fizik dhe atë mendor të këtyre familjeve. Qëllimi ynë është të avancojmë statusin e tyre shoqëror edhe ekonomik ne shoqëri. Këto janë projekte që janë përbrenda kompetencave vetanake të komunës përkundër institucioneve të tjera”.