Në prag të dimrit, shkon në “qiell” çmimi i druve në Prishtinë

Çmimi i druve për ngrohje në Prishtinë, është ngritur pa parashikueshëm shumë: një metër dru, në tregjet e druve në Prishtinë, që karakterizohen me ofertë të shumtë, të marten, më 14 tetor 2025, kushtonte hiç më pak se 70 euro. Në ca tregje të druve në rrethinat e kryeqytetit metri i druve ka arritur edhe…

Lajme

14/10/2025 17:46

Çmimi i druve për ngrohje në Prishtinë, është ngritur pa parashikueshëm shumë: një metër dru, në tregjet e druve në Prishtinë, që karakterizohen me ofertë të shumtë, të marten, më 14 tetor 2025, kushtonte hiç më pak se 70 euro. Në ca tregje të druve në rrethinat e kryeqytetit metri i druve ka arritur edhe në 75 euro.

Këto ditë, në prag të dimrit të pritshëm, çmimi i druve për ngrohje në Prishtinë, është ngritur paparashikueshëm shumë: një metër dru, në tregjet e druve në Prishtinë, që karakterizohen me ofertë të shumtë, të marten, më 14 tetor 2025, kushtonte hiç më pak se 70 euro. Në ca tregje të druve në rrethinat e kryeqytetit metri i druve ka arritur edhe në 75 euro.

Në këtë çmim druvarët dhe tregtarët e drurëve, si rëndom, kanë futur edhe transportin deri në shtëpi të blerësve dhe ‘sharrimin” në tre pjesë së një metri gjatësi të drurëve. Ky çmim është ndjeshëm më i lartë sesa ai i vitit të kaluar në të njëjtën kohë (kur një metër dru kushtonte 50 e 55 euro dhe shumë-shumë 60 euro, por edhe më i lartë se disa muaj më pastaj gjatë 2025-tës, gjegjësisht në muajt e pranverës dhe të fillimit të verës.

Çmimi aktual I druve të zjarrit, praktikisht ka arritur nivelin e çmimit rekord të shënuar gjatë vitit 2023, kur metri i druve si pasojë e mungesësë së paralajmëruar të energjisë elektrike, që nga korriku e deri në mbarim të vitit 2023 tregtohej me 70 euro. Me çmimin aktual prej 70 eurosh për një metër kub dru sa ka arritur tani në tregjet e druve në Prishinë, tregtoheshin drutë në nëntor të vitit 2022 dhe gjatë muajve të 2023-tës, kur kishte arritur të ftohtit dhe kur temperaturat e ulëta ishin bërë të zakonshme në prag të dimrit të pritshëm, shkruan Buletini Ekonomik

“Në çmimin e ngritur të druve për ngrohje, sigurisht që ka ndikuar frika e qytetarëve për mungesën e energjisë elektrike gjatë dimrit, të paralajmëruar në një farë mënyre tashmë në shumë raste nga institucionet përgjegjëse dhe kompetente për të siguruar rrymën e nevojshme edhe gjatë ditëve të acarta dhe frika se nuk do të kenë rrymë për pajisjet efiçiente, të cilat vjet dhe parvjet i promovoi dhe i financojë në një masë edhe qeveria e vendit.

Thënë ndryshe, euforia e ngarendjes së qytetarëve për t’u pajisur me stabilimente ngrohse efiçiente dhe të financuara pjesërisht nga shteti, për shkak të mungesës së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut, sivjet është zbehur goxha shumë dhe qytetarë të shumtë iu kanë rikthyer druve”, thotë një tregtar i druve të zjarrit, njohës i mirë i ecurive të çmimeve të druve për ngrohje, i cili do të mbetet anonim dhe i cili e ka depon e druve në periferi të qytetit buzë rrugës Prishtinë-Keqekollë.

Sipas tij, sivjet ka më pak dru në tregje, si rrjedhojë e varfërimit të maleve prej nga gjithnjë është furnizuar kryeqyteti me dru për ngrohje (kryesisht malet e anës së Gollakut) dhe si rrjedhojë e çmimeve të ulëta që ishin gjatë vitit të kaluar dhe muajve të pranverës së sivjetshme.

Ndërkohë, një prishtinas i moshuar, i cili furnizohet që në muajt e verës me sasinë e nevojshme të druve dhe që tashmë është mësuar më ecurinë e lëvizjeve të çmimeve të druve, shprehej i revoltuar kundër ngritjes së madhe të çmimeve të druve në këto ditë të prag-dimrit të pritshëm.

“Vjet çmimi i druve ishte i pranueshëm dhe në një farë mënyre, i arsyeshëm dhe i kapshëm edhe për shtresat e varfëra. Tani kanë arritur në 70 e më shumë euro për një metër kub, ndërsa frigohem se me muajt e parë të ftohtë dhe në prag të dimrit, çmimet do të shkojnë edhe më lartë”, i ka thënë të martën (14 tetor 2025) Buletinit Ekonomik ai.

“Ky çmim i druve, dhe çmimet e pritshme edhe më të larta, do të detyrojnë shumë qytetarë të Prishtinës, t’u kthehen sërish ngrohjes me rrymë, që edhe me çmimet e ngritura, do të jetë më e lirë se sa të ngrohesh me dru’, thotë një tjetër prishtinas, që pyeste për çmimin e druve te shumë druvarë dhe tregtarë të tyre.

Njëri nga druvarët që me vite tregton drutë në Prishtinë, duke kërkuar anonimitetin, shprehet i sigurtë për Buletinin Ekonomik se në çmimet e druve në muajt në vazhdim do të ndikojnë mungesa evidente e druve në malet rreth e qark Prishtinës, prej nga gjithmonë është furnizuar tregu i kryeqytetit, por edhe mungesa e fuqisë punëtore për të përgatitur drurin për treg.

“Nuk ka punëtorë sivjet. Askush nuk vie në mal. Ndonjë punëtorë që shprehet i gatshëm ta bëjë këtë punë kërkon shumë para, dhe nuk ka llogari ta paguajmë aq sa kërkon”, thotë ai. Sa për ta përkujtuar: një metër dru bung dhe qarri më 2021, shitej 30, përkatësisht 35 euro. Tani i bie që në krahasim me katër vjet përpara, metri i druve në kryeqytet, por edhe në qendrat e tjera komunale të Kosovës, është ngritur 100 për qind dhe më shumë.