Në New York, Jahjaga ose Hoxhaj
Java e fundit e muajit gusht pritet t'i mbledhë në seancën e rregullt tremujore në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosovën dhe Serbinë me vendet anëtare.

Lajme
Në këtë seancë do të shqyrtohet raporti i rregullt i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon për zhvillimet dhe progresin në Kosovë në tremujorin e fundit.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar, 25 gushti përmendet si datë e mundshme për mbajtjen e kësaj seance.
Varësisht nga niveli, Kosova mund të përfaqësohet qoftë nga presidentja Atifete Jahjaga apo ministri në largim, Enver Hoxhaj.
Përfaqësimi pritet të jetë i njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe se kjo çështje nuk është definuar ende.
Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë për gazetën Tribuna se kurdo që të mbahet seanca e Këshillit të Sigurimit, Kosova do të përfaqësohet në nivelin e barabartë me atë të Serbisë.
“Nuk përjashtohet mundësia që Kosovën ta përfaqësojë presidentja Jahjaga sikur edhe në muajin maj. Të gjitha modalitetet janë duke u harmonizuar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare”, ka deklaruar Vllahiu.