Në nëntor, deputetët shqiptarë do të vizitojnë Luginën e Preshevës
Në fillim të muajit nëntor një delegacion i parlamentit të Shqipërisë do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës, me fokus kryesor arsimin dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë aty.

Lajme
Komisioni Parlamentar i Medias dhe Edukimit në Tiranë, diskutoi sot mbi këtë vizitë, ndërsa do të përpilojë edhe një listë të deputetëve nga mazhoranca dhe opozita të cilët do të shkojnë në Preshevë. Deputeti i mazhorancës Fatmir Toçi, i cili është edhe kryesues i këtij delegacioni foli në një intervistë për Kosovapress mbi qëllimin e kësaj vizite dhe çështjet që do të diskutohen mes tyre. Ai tha se kjo vizitë në fakt po mendohet të organizohet në kuadër të një kërkese të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës.
“Po formalizoj një grup deputetësh, ndoshta për të vajtur në ditët e para të Nëntorit në Preshevë, për të diskutuar për një sërë problemesh që dihet që shqiptarët që jetojnë në kë të Luginë e kanë shqetësimin e tyre, dhe shqetësime të kësaj natyre që kanë të bëjnë në radhë të parë me kuotat e studentëve që mund të studiojnë në universitetet shqiptare, me problemet e furnizimit me tekstet shkollore, me problemet e unfikimit të programeve të teksteve shkollore siç e ka Shqipëria dhe Kosova; me probleme që lidhen me shkëmbimet e ndërsjella të interesave të studentëve që kanë në Shqipëri, por edhe per specializime që studentë të Luginës së Preshevës kërkojnë ti bëjnë në universitetet shqiptare,” tha Fatmir Toçi, deputet i mazhorancës shqiptare, dhe kryesues i delegacionit shqiptar qe do shkoje ne Luginën e Preshevës.
Më tej deputeti Toçi tha se ka ardhur koha që marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe Luginës së Preshevës të forcohen ashtu sikurse me Kosovën pasi ka shumë hapsirë për bashkëpunim.
“Pa dyshim ka një hapje tashmë edhe në drejtim të qeverive tona për probleme të arsimimit në këtë Luginë. Unë mendoj se është me shumë interes, vizita jonë është vizitë e shqiptarëve me shqiptarët, pra për të diskutuar për mundësinë e zgjerimit të këtyre marrëdhënieve nën respektimin e kuadrit ligjor të dy vendeve tona. Unë mendoj se ka shumë hapësirë, që ashtu sikurse është zgjeruar ky bashkëpunim dhe këto marrëdhënie me shqiptarët në Kosovë tashmë me Maqedoninë, Malin e Zi ku janë gjetur do të thoja mirëkuptimi me qeveritë e të gjitha këtyre vendeve, ka shumë hapësira që edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës të krijohet kjo marrëdhënie, të zgjerohet kjo marrëdhënie dhe të vihet mbi baza institucionale”, tha deputeti Toçi.
Njohja e diplomave të studentëve shqiptarëve në Luginë nga ana e qeverisë serbe është një tjetër temë që do të jetë në fokus të këtij takimi, por po ashtu lajm i mirë, tha deputeti Toçi, është edhe fakti që Ministria e Arsimit e Serbisë ka miratuar një tekst abetareje të propozuar nga Këshilli i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Pa dyshim kjo është një temë (njohja e diplomave) që është diskutuar edhe mes dy qeverive tona, edhe Ministria jonë e Jashtme me Ministrinë e Jashtme të Serbisë kanë përcaktuar edhe të gjithë termat e një marrëveshje për njohjen e diplomave mes dy vendeve. Nga kjo marrëveshje përfitojnë drejtpërdrejt dhe 100 përqind të gjithë studentët që jetojnë në Luginën e Preshevës, duke qenë brenda shtetit të Serbisë. Me informacionet që kam unë kjo është një çështje që është zgjidhur në parim dhe pritet vetëm një formalizim dhe është një lajm i mirë do të thoja. Ashtu siç është rënë dakord dhe ky është një tjetër lajm i mirë, që është miratuar edhe nga ana e Ministrisë së Arsimit të Serbisë një abetare e hartuar nga ky Këshill Kombëtar i Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe me asistencë natyrisht të specialistëve nga Shqipëria. Pra ka hapa pozitivë por unë mendoj se mund të shkojmë më thellë në interes të formimit në gjuhën amtare të shqiptarëve të Preshevës,” tha Fatmir Toçi, deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë pas kësaj vizite që do të zhvillojnë deputetët shqiptarë, pritet që edhe një delegacion nga Lugina e Preshevës të vijë në Shqipëri, duke vendosur kështu marrëdhënie të rregullta bashkëpunimi mes shqiptarëve këtu dhe në Luginë. /KP/