Në mungesë të dy dëshmitareve, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte Jusuf Shujak

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në mungesë të dy dëshmitareve të propozuara nga mbrojtja, Enisa Rexhematoviq dhe Salka Agoviq, është shtyrë seanca e së hënës ndaj të akuzuarit për krime lufte, Jusuf Shujak. Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala njoftoi se të enjten janë njoftuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shujak, avokati Ljubomir Pantoviq, se…

Lajme

23/03/2026 11:38

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në mungesë të dy dëshmitareve të propozuara nga mbrojtja, Enisa Rexhematoviq dhe Salka Agoviq, është shtyrë seanca e së hënës ndaj të akuzuarit për krime lufte, Jusuf Shujak.

Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala njoftoi se të enjten janë njoftuar nga mbrojtësi i të akuzuarit Shujak, avokati Ljubomir Pantoviq, se dëshmitaret e propozuara nuk mund të jenë prezente sot në gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pantoviq ka arsyetuar se njëra prej dëshmiatareve jeton- Rexhematoviq në Belgjikë dhe nuk mund të vijojë në sesionin e paraditës, duke kërkuar të shtyhet për pasdite, por gjykatësi Shala tha që trupi gjykues ka angazhime në sesionin e pasdites.

Në seancë, Pantoviq deklaroi se dëshmitarja e dytë- Salka Agoviq është një grua e moshuar e cila jeton në Mal të Zi dhe për shkak të moshës nuk ka mundësi të vijë vetë. Tha se ajo së bashku me dëshmitaren Enisa Rexhematoviq ishin marrë vesh që të vijnë së bashku për të dëshmuar.

Avokati Pantoviq i propozoi trupit gjykues që seanca e paraparë për ditën e sotme të shtyhet për muajin prill.

Më pas, trupi gjykues aprovoi propozimin e mbrojtjes dhe seanca u shty për një datë tjetër.

Në seancën fillestare më 13 shkurt 2025, i akuzuari Jusuf Shujak është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte në Gjakovë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 24 janar 2025, i pandehuri Jusuf Shujak akuzohet se gjatë përiudhës kohore 1989-1999, në Gjakovë, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dashje shkel rregullat e të drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, konkretisht neni 3 të Konventës së Katërt të Gjenevës dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II, duke kryer vrasje, dëbim dhe shkatërrime të pasurisë së lujatshme dhe të palujatshme të popullatës civile.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Shujak, më 10 maj 1999, së bashku me pjestarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, të unifromuar dhe të armatosur dhe të ndarë në grupe të ndryshme, hyjnë në shtëpinë e M.D., në të cilin ishin duke qëndruar vetëm M., B.D., bashkëshortja e tij, një fëmijë dhe dy të zhvendosur, C.H., e I.L., të cilët ishin të strehuar përkohësisht, i urdhërojnë që të dalin jashtë, përpos M.D., i cili kishte mbetur brenda shtëpisë. Me të dalë në oborr, policët serbë i ndalojnë C.H, dhe I.L., duke ua kërkuar letërnjoftimet dhe më pas ju drejtohen me fjalët “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishin shtënë në drejtim të tyre duke i vrarë që të dy. Kurse një polic tjetër, hyn brenda shtëpisë, ku kishte qenë edhe M.D., duke qëlluar me armë dhe duke e vrarë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë thuhet që në kohën dhe vendin e përshkruar si në dispoztivin e parë, forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjen Dyla, në atë mënyrë që në ditën e incidentit derisa pjestarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpin e M.D., duke lënë të vrarë atë dhe dy persona të tjerë, ndërsa pjesën tjetër të familjes i detyruan që të largohen nga shtëpia e tyre dhe t’ju bashkohen kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptarë dhe nacionaliteteve tjera, dhe me dhunë të largohen nga Gjakova.

Kurse, në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet që i pandehuri Shujak së bashku me forcat policore dhe ushtarake serbe, plaçkitën dhe shkatrruan pasurinë e familjes Dyla, në atë mënyrë që në ditën e incidentit, pasi që vranë dhe dëbuan viktimat të përshkruara si në dispozitivin e parë dhe të dytë të kësaj aktakuze, fillimisht plaçkitën shtëpinë e familjes Dyla, dhe disa shtëpi të tjera përreth saj dhe në fund i dogjën ato, duke iu shkaktuar kështu viktimave dëm shumë të madh material.

Më këtë, Jusuf Shujak ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullatës civile”, e sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.