Në muajin janar, faturat e termokosit dyfish më të shtrenjta për qytetarët
Faturat për ngrohje nga `Termokos` për muajin janar kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët e Prishtinës, pasi disa prej tyre kanë marrë rritje të konsiderueshme, duke u dyfishuar krahasuar me muajt e kaluar. Nga 62 euro, sa kishte paguar më parë, Nazmi Hykollit nga Prishtina, fatura e janarit nga Termokosi i erdhi mbi 100 euro. Hykolli,…

Lajme
Faturat për ngrohje nga `Termokos` për muajin janar kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët e Prishtinës, pasi disa prej tyre kanë marrë rritje të konsiderueshme, duke u dyfishuar krahasuar me muajt e kaluar.
Nga 62 euro, sa kishte paguar më parë, Nazmi Hykollit nga Prishtina, fatura e janarit nga Termokosi i erdhi mbi 100 euro. Hykolli, i cili banon në një banesë me sipërfaqe rreth 77 m2, e cilësoi këtë rritje si të paarsyeshme dhe u ankua në Ndërmarrjen Termokos. Ai tha se nuk do t’i kryejë obligimet financiare ndaj kësaj ndërmarrjeje derisa çështja e faturimit pa rritje të rregullohet.
Ankesa dorëzuan edhe qytetarë të tjerë, të cilët u ankuan se faturat e janarit u janë rritur dyfish.
Nga Termokosi thanë se rreth 30% e konsumatorëve kanë marrë fatura më të larta. “Furnizohemi me energji termike pa ndërmarrë masa kursimi, kjo ka reflektuar në fatura të larta tek një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve,” tha Afërdita Uka-Fejzullahu, zëdhënëse e Termokosit për RTK.
Ndërkohë, disa ditë më parë u mblodh bordi i Termokosit, ku në rend dite ishte edhe shkarkimi i kryeshefit, Fisnik Osmani. Mbledhja dështoi për mungesë kuorumi.
Asamblistë opozitarë kanë pretenduar se ka përçarje mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe Fisnik Osmanit. Rama theksoi për RTK-në se aksionarët do të vendosin për këtë çështje.
RTK ka kërkuar qëndrim nga kryeshefi i Termokosit, por ai nuk ka pranuar të përgjigjet.