Në mesin e të arrestuarve mbrëmë edhe një gjyqtar- Reagon Këshilli Gjyqësor: Rasti është regjistruar zyrtarisht për hetim

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë realizuar mbrëmë një aksion të gjerë, pas hetimeve të gjata që ishin bërë në kuadër të dyshimeve mbi korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Me këtë rast u arrestuan shtatë persona zyrtarë, në mesin e tyre edhe një gjyqtar. Jovica Mitrovic është kryetar gjykate në Graçanice. E pas kësaj…

Lajme

19/12/2025 09:51

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë realizuar mbrëmë një aksion të gjerë, pas hetimeve të gjata që ishin bërë në kuadër të dyshimeve mbi korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Me këtë rast u arrestuan shtatë persona zyrtarë, në mesin e tyre edhe një gjyqtar.

Jovica Mitrovic është kryetar gjykate në Graçanice.

E pas kësaj ka reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë.

KGjK tha se autoritet kompetent, sot kanë pranuar informacion zyrtar lidhur me një rast të hetimit penal, ku dyshohet që përveç të tjerëve është i përfshirë edhe një gjyqtar.

“Po ashtu KGJK, është njoftuar nga menaxhmenti i Gjykatës Themelore në Prishtinë se rasti është regjistruar zyrtarisht për hetim të mëtejshëm lidhur me përgjegjësinë disiplinore”,transmeton lajmi.net.

KGJK ju njofton se të gjitha veprimet do të ndërmerren brenda afateve dhe për aq sa e lejuar mediat dhe publiku do të njoftohen me kohë.

Raporti i plotë nga Policia e Kosovës mbi rastin:

“KEQPËRDORIM I POZITES APO AUTORITETIT ZYRTAR, MARRJA E RYSHFETIT, DHËNIE E RYSHFETIT, USHTRIM I NDIKIMIT, DEKLARIM I RREME, MASHTRIM

Prishtinë 18.12.2025 17:40. Policia e Kosovës, respektivisht DHKEK, pas hetimeve të zhvilluara me autorizim të PSRK-së, ka kapur në flagrancë tre të dyshuar duke shkëmbyer para në vlerë të 9900€ si pjesë e marrëveshjes në mes tyre për ndarje të ryshfetit. Në koordinim me prokurorinë, njësitet policore kanë vazhduar me kontroll në pesë lokacione, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim; para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një llaptop, etj,. si dhe në një nga lokacionet janë gjetur armë dhe municion. Lidhur me rastin janë arrestuar shtatë të dyshuar ( gjashtë meshkuj dhe një femër kosovare ) dhe të njëjtit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.”

Çka tha Prokuroria Speciale për aksionin?

Prokuroria Speciale ka sqaruar se ky aksion është rezultat i hetimeve afatgjata, gjatë të cilave janë përdorur masa të posaçme hetimore. Gjatë kontrolleve janë gjetur rreth 20 mijë euro para të gatshme, bizhuteri, pajisje elektronike dhe tri vetura.

Në mesin e të dyshuarve ndodhen edhe figura të rëndësishme institucionale, përfshirë kryetarin e Degës së Gjykatës së Graçanicës, përfaqësues nga avokatura, ekspertë gjyqësorë, zyrtarë të Administratës Tatimore, përfaqësues të Departamentit të Shpronësimeve, si dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Ismaili.

Grupi dyshohet se ka vepruar në mënyrë të organizuar, duke manipuluar procese gjyqësore që lidhen me kompensime të kundërligjshme për shpronësime të realizuara ndërmjet viteve 2011 dhe 2015, me synim përfitimin e fondeve publike.

Të ndaluarit do të qëndrojnë në mbajtje për 48 orë, ndërsa Prokuroria Speciale ka konfirmuar se hetimet për këtë rast janë ende në zhvillim.

Institucionet e rendit e kanë vlerësuar këtë ndërhyrje si një hap domethënës në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin në Kosovë./Lajmi.net/