Në mesditë Sveçla urdhëroi, por si ndodhi që brenda pak orëve IPK-ja e kuptoi kush ishin zyrtarët policorë të dyshuar në rastet e Mefail Shkodrës?

Derisa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte urdhëruar dje IPK-në që të hetojë çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë zyrtari policor në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan – në Prishtinë ndodhi një tjetër vrasje. Një person vdiq si shkak i plagëve…

Lajme

12/08/2025 10:22

Derisa ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte urdhëruar dje IPK-në që të hetojë çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë zyrtari policor në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës të dyshuarit për vrasjen e trefishtë në Gjilan – në Prishtinë ndodhi një tjetër vrasje.

Një person vdiq si shkak i plagëve të marra nga arma e zjarrit në Hajvali.

41 vjeçari Muhamet Matoshi vdiq si shkak i plagëve që mori dhe të cilave nuk arriti t’u bëjë ballë, raporton lajmi.net.

Derisa ministri Sveçla po merrej personalisht nga afër me policinë në Gjilan, e nga ku po jepte direktiva për Inspektoratin Policor se si të veprohet tutje ai dhe stafi i tij u njoftuan edhe për një tjetër vrasje të rëndë.

E ministri Sveçla u përkujdes dje që përmes një statusi në Facebook se mbetet i pakompromis në çështjen e integritetit të shërbyesve publikë dhe se do të mbështesë çdo hetim e bashkëpunim ndërinstitucional për të garantuar institucione të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve.

Ai madje urdhëroi Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës.

“Kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Vazhdoj të jem i pakompromis në këtë drejtim”, ka shkruar Sveçla.

Por si ndodhi që IPK brenda pak orëve i identifikoi zyrtarët policorë?

Anipse nuk mjaftuan muaj e ndoshta edhe vite për ta ditur se kush po bashkëpunonte e bashkëvepronte me fajdexhiun e Gjilanit, Mefail Shkodra doli se në fakt IPK-ja e të tjerët brenda orëve e kuptuan se kush ishin ata.

Pas ngjarjes tragjike në Gjilan IPK njoftoi se ka nisur hetimet paraprake për të konstatuar nëse ndonjë zyrtar i Policisë së Kosovës ka pasur lidhje apo ka kryer lëshime në rastin e të shumëkërkuarit Mefail Shkodra.

Në koordinim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, IPK rekomandoi suspendimin e katër zyrtarëve policorë, përfshirë një rreshter dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale, një shef të hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një pjesëtar të Njësisë së Reagimit të Shpejtë.

“Hetimet po zhvillohen për dyshime të përfshirjes së këtyre zyrtarëve në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale”, theksoi IPK.

Kujtojmë se Mefail Shkodra, i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan më 10 gusht, para kësaj ngjarjeje, ai ishte aktiv në ngjarje publike dhe shihej në fotografi me figura të larta shtetërore, përfshirë ministrin në detyrë Xhelal Sveçla, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe presidenten Vjosa Osmani.

Rasti i cili tronditi opinionin publik me vrasjen e trefishtë në Gjilan, po mbetet ende i pazbardhur në tërësi, ndërkohë që kërkimi për të dhe djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra vazhdojnë./Lajmi.net/