Në Merdare, 2 orë pritje për të hyrë në Kosovë

Si rezultat i fluksit të madh të automjeteve dhe procedurave kufitare, në pikën kufitare në Merdare pritjet në hyrje të Kosovës në mëngjesin e sotëm kanë qenë afërsisht dy orë.

Lajme

21/12/2014 15:22

Si njofton Policia e Kosovës, rreth orës 14:00, pritjet janë diku rreth 10-20 minuta, pasi fluksi i automjeteve me bashkatdhetarë të cilët vijnë për pushime të fundvitit në Kosovë ka rënie në orët e pasdites.

E në dalje pritje nuk ka përveç kohëzgjatjes normale prej 5-10 minutash deri sa kryhen procedurat kufitare.

Ndërkaq, te Dheu i Bardhë po ashtu ka rënie të pritjeve në hyrje të Kosovës krahasuar me ditën e shtunë, përderisa sot pritjet zgjasin afërsisht deri rreth një orë, ani pse, siç thotë Policia e Kosovës, vërehet rënie e frekuentimit të automjeteve, kurse në dalje nuk ka pritje.

“Situata rreth pritjeve të kalimit kufitar mund të ndryshojë varësisht prej frekuentimit të automjeteve edhe pse sot vërehet se ka pritje më pak se ditën paraprake (shtunë).

Policia e Kosovës, vazhdon me masa shtese, me prezencë më të shtuar të personelit policor, në mënyrë që të ndikohet në zvogëlimin e pritjeve dhe t’ju mundësohet qytetarëve kalim më i shpejtë i kontrollit kufitar në pjesën e RKS-së”, thuhet në raport.