Në LDK ka mendime të ndryshme, por vendim të njejtë!

E di që shumëkush pret një përçarje të LDK në këtë temë. Unë po ua heq ‘zhigun’. Në Lidhjen e Ibrahim Rugovës ka mendime ndryshe, por epilogu do të dalë që do të marrin vendim të njejtë. Unik. Jo për tjetër, por veç për interes të qytetarit. Për garantimin e të ardhmes europiane të tij!

Lajme

07/07/2018 23:40

LDK ende nuk ka qëndrim zyrtar sa i përket asaj se kush duhet t’i udhëheq bisedimet Kosovë-Serbi.

Vendimet në LDK nuk merren nga nënkryetarët, nga shefi i grupit parlamentar, e as nga deputët, por merren në kryesi, pavarësisht se këta mund të kenë mendime të ndryshme, dhe kjo vetëm se i kontribuon ruajtjes së vlerave demokratike brenda partisë.

Deklaratat e kryetarit Lutfi Haziri se ‘bisedimet Kosovë-Serbi janë brenda normës kushtetuese’ ka peshë të jashtëzakonshme në opinion, marrë parasyshë faktin e përvojës së madhe në proceset e rëndësishme politike në vend.

Haziri, në kuptimin e asaj që nuk mund të qëndroj anash dhe të shikoj si spektator, ka dhënë mendimin e tij politik që për kohën është jashtëzakonisht i guximshëm.

I pëlqeu dikujtë ose jo, këshillat e tij i kontribuojn skenës politike, veçanërisht tani që vendi ndodhet para një procesi të rëndësishëm i cili nuk mund të tejkalohet ndryshe vetëm se me një konsensus politik ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Dhe, njeriu i vetëm që mund ta bashkoj pozitën e opozitën në tema të rëndësishme është Lutfi Haziri. Kjo për shumë arsye.

Ai është njeriu më me peshë politike në LDK. Është dëshmitar dhe pjesë e proceseve më të rëndësishme në vend, procese historike mund të themi.

Ka të drejtë t’i shpreh mendimet e tij të cilat sigurisht se i shërbejnë iniciativës së kërkuar nga pozita dhe opozita për ta krijuar platformën e përbashkët për fazën finale të bisedimeve, duke i dhënë legjitimitetin politik në Kuvendin e Kosovës presidentit të Republikës (që në këtë rast ka rastisur të jetë Thaçi), dhe duke krijuar komisione vëzhguese dhe bashkuar liderët politik në këtë proces.

Ndoshta nga përvoja e madhe e tij në politikbërje pran Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova dhe pjesëmarrja e tij në procese historike të vendit, ka bërë që Lutfi Haziri të jetë gjithmonë ai që i bashkon liderët politik në Kosovë, sa herë që vendi ndodhet para një procesi të rëndësishëm.

Dikush ende nuk e ka kuptuar sa e rëndësishme është faza finale e bisedimeve Kosovë-Serbi, dhe sa shumë i nevojitet Kosovës sot uniteti dhe pajtueshmëria e liderëve politik në vend.

Në këtë rast, pakkush e ka ‘kapur’ një deklaratë të tij javë më parë, kur bisedimet që po pretendohen se janë finale, Haziri me një vizion të jashtëzakonshmë dhe një thellësi në qëndrime, këto bisedime i ka cilësuar si ‘Gjysmëfinalja e madhe’. Por, me këtë do të merrem në një shkrim tjetër.

Pra, duhet theksuar se çdo vonesë për të e përgatitur një platformë të përbashkët, për të arritur marrëveshje pozitë-opozitë, vetëm se rrezikon që bisedimet të vazhdojnë sepse nuk ka kush t’i ndalë ato, ngase Presidenti e ka të garantuar me ligj përfaqësimin e vendit në Bruksel, e marrëveshjet që do të arrihen aty të jenë të dëmshme për vendin dhe qytetarët. E kjo nuk do të ishte në interes të askujt.

Partitë politike në Kuvendin e Kosovës janë zgjedhur për ta përfaqësuar qytetarin e mbrojtur interesat e vendit dhe jo të vuajnë nga komplekse personale ose për konsum të brendshëm të mos i kontribuojnë mbrojtjes së interesave të rëndësishme të vendit.

Është e lehtë të rrish anash pa pasur mendim e ofruar zgjidhje, por duhet guxim, dituri e zotësi të merresh me tema të mëdha dhe të shprehesh publikisht duke treguar zgjidhjen.

LDK është subjekt shtetndërtues dhe Lutfi Haziri është njeriu që i ka kontribuar më së shumti unitetit brenda LDK-së dhe është gardian i kësaj siç e ka dëshmuar shumë herë me veprimet e tij.

LDK kurrë nuk ka qenë më e bashkuar, dhe sipas sondazhit të fundit kredibil të organizuar nga KDI, del se LDK aktualisht është subjekti më i pëlqyer tek qytetarët në Kosovë dhe atyre që po iu pengon kjo.

Ata nuk po hezitojnë t’i shfrytëzojnë disa portale dhe mjete, duke tentuar të krijojnë frymë përçarëse brenda LDK-së në sy të qytetarëve.

Për fund, e di që shumëkush pret një përçarje të LDK në këtë temë. Unë po ua heq ‘zhigun’. Në Lidhjen e Ibrahim Rugovës ka mendime ndryshe, por epilogu do të dalë që do të marrin vendim të njejtë. Do dë dalë unike. Jo për tjetër, por veç për interes të qytetarit. Për garantimin e të ardhmes europiane të tij!

(Autori është anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Gjilan)