Të Infektuar: 1110

Të Shëruar: 843

Të Vdekur: 30

Në Kosovë nuk respektohen të drejtat e fëmijëve, ata shfrytëzohen për punë

17:00 | 20 Nentor 2019

Foto ilustruese

Një numër i madh i fëmijëve për shkak të kushteve të rënda ekonomike, e detyrimit familjarë bëjnë punë të rënda. Pavarësisht se ligji nuk lejon të miturit të punojnë, janë 6,8 për qind e fëmijëve në Kosovë, të cilët detyrohen të punojnë në kushte të rrezikshme, madje janë edhe viktima të dhunës në familje.

Në 30-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e tyre, po kërkohet nga institucionet që fëmijët të jenë të barabartë dhe të gëzojnë të drejtat për arsim e përkujdesje.

I miratuar për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e e dhunës, abuzimit apo keqpërdorimit, as Ligji për Mbrojtjen e tyre nuk po respektohet.

Një gjë të tillë e thotë edhe këshilltarja Nacionale për Avokim dhe Edukim në SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë, Remzije Krasniqi.

Sipas saj, institucionet e kanë mandat dhe duhet të sigurojnë që çdo fëmijë të gëzojë të drejtat bazike.

“Me të vërtetë situata nuk është e mirë në shumë fusha. Edhe sa i përket mirëqenies së fëmijëve, shëndetit, arsimit, pjesëmarrjes së tyre dhe të drejtave në përgjithësi. Shumë fëmijë nën moshën e lejueshme i shohim rrugëve, në situata të ndryshme që punojnë. Po ashtu, sa i përket përfshirjes së fëmijëve nga grupe të ndryshme që janë të rrezikuara, margjinalizohen ose për një arsye nuk mund të jenë pjesë e shkollimit, edukimit dhe përfitimit të shërbimeve që iu takojnë, si dhe fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha Krasniqi.

Shumë fëmijë fatkeqësisht po mbesin edhe pa përkujdesje prindërore, e vetëm gjatë këtij viti janë 65 fëmijë të cilët kanë marrë shërbime në SOS fshat.

“Gjatë këtij viti kemi më shumë se 65 fëmijë që marrin shërbime 24 orësh, edhe për arsye të ndryshme humbin kujdesin prindëror. Përveç kësaj, është një numër më shumë se 500 që ne punojmë me familjet në komunitet që janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror. Për arsye të ndryshme familja nuk është e gatshme dhe nuk ofron ngrohtësi, përkujdesje dhe shërbime për fëmijët e tyre”, tha Krasniqi.

Se gjendja e fëmijëve në vendin tonë nuk është e mirë e thotë edhe Ahmet Kryeziu, drejtori i Save the Children, sipas të cilit Kosova ka edhe shumë për të bërë në respektimin e të drejtave bazike të tyre.

“Kemi grupe të margjinalizuara që ende nuk realizojnë të drejtat. Këtu mund të them janë fëmijët nga komunitetet, posaçërisht komunitetet RAE, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në familje të varfra. Ende ka punë për t’u bërë, që këto grupe të fëmijëve të jenë të barabartë në shoqërinë tonë. Dhe mbetet obligim i të gjithëve posaçërisht i qeverisë, shoqërisë civile që të angazhohen që ata të jenë pjesë e shoqërisë dhe i zhvillimit si çdo fëmijë tjetër”, deklaron Kryeziu.

Nisur nga gjendja jo e mirë e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, drejtori i Save the Children në Kosovë, thotë për KosovaPress se po punojnë që të ndihmojnë në respektimin e të drejtave të fëmijëve, duke u bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë në këtë angazhim të përbashkët.

Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF  gjatë ditës së sotme u ka bërë thirrje institucioneve të marrin të gjitha veprimet përgatitore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve. KOMF ka ritheksuar se shkalla e varfërisë së fëmijëve në Kosovë është  20.7%.

“10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, pas gjashtë vjetësh, që nga hartimi të tij, institucionet e Kosovës në qershor kanë miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë ata nga të gjitha format  e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.