Në kohë lufte, 44 familje distancoheshin nga Maliq e Fatmir Sheholli – Ja çka thuhej në një artikull të gazetës “Bujku”

Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar Fatmir Sheholli, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “spiunazh”. Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, ai është ndaluar për 48 orë ndërsa shtëpia e tij po bastiset. “Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga…

Lajme

09/10/2025 10:53

Sot, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar Fatmir Sheholli, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “spiunazh”.

Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, ai është ndaluar për 48 orë ndërsa shtëpia e tij po bastiset.

“Pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh. I dyshuari F.SH., është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Spiunazh”, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Por, për Fatmir Shehollin dyshime për bashkëpunim me Serbinë kishte edhe në të kaluarën, saktësisht në kohë të luftës.

Në një shkrim në gazetën “Bujku”, 44 familje në Podujevë kanë thënë se distancohen nga Maliq e Fatmir Sheholli.

Ja çka thuhet në këtë tekst: 

Distancim nga Maliq e Fatmir Sheholli

Podujevë, 15 mars

Në tekstin me shkrim që ia ofruan raporterit të “Bujkut” në Podujevë, dyzet e katër familje Sheholli nga Podujeva e rrethina, ndër të tjera shkruajnë:

“Ngase distancimi ynë nga Maliq Sheholli dhe i biri i tij Fatmir, i bërë në vitin 1990, botuar në revistën fetare ‘Dituria islame’, e cila është më pak frekuentuese, e shohim të nevojshme ta njoftojmë opinionin shqipfolës, kudo në botë, se familja e gjerë Sheholli (44 kryefamiljarë në pajtim me anëtarët e familjeve), përgjithmonë distancohet nga veprimet e këtyre të dyve: Maliqit e Fatmirit. Këtë e bëjmë, thuhet në këtë shkresë, sepse Maliqi dhe djali i tij Fatmiri janë vënë në shërbim të pushtuesit serb dhe kështu kanë bërë aktin më të lig njerëzor: tradhtinë kombëtare. Pavarësisht nga veprimet e këtyre renegatëve, kudo që janë, lëvizja jonë gjithëpopullore do të realizojë çlirimin kombëtar. E, renegatëve kurrë s’mund t’u hiqet njolla e tradhtisë,” thuhet në fund të kësaj shkrese, të cilën e nënshkruan Sahit, Bajram, Brahim, Selman, Hamit, Ahmet L, Shaban, Rrahman, Ismail, Ahmet M, Bahtir, Sabit, Hilmi, Muharrem, Mustafë, Rrahim Adem, Sherif, Rushit, Islëm, Hakif, Shefqet, Shemsi, Behram, Fetah, Fehmi, Rifat, Shaip, Ramush, Jahir, Avdi, Beqir, Isa, Faik, Sheqir, Ali, Gani, Agim Rr, Fitim, Musa, Nexhip, Ragip, Rasim e Rexhep Sheholli.

J. S.